Lajm i mirë për Rejën, titullari i kombëtares rikthehet në stërvitje

schedule14:44 - 31 Tetor, 2019

schedule 14:44 - 31 Tetor, 2019

Atmosfera tek ekipi i Napolit nuk është aspak e mirë. Problemet me arbitrimin në ndeshjen kundër Atalantës i kanë mërzitur të gjithë. Llorente pretendoi për një penallti në kontaktin me Kjaer, por arbitri vazhdoi lojën.

Miqtë vazhduan aksionin dhe arritën të barazonin rezultatin me anë të Josip Ilicic. Vendasit shpërthyen dhe nuk arrijnë ta kuptojnë sesi kryesori Giacomelli nuk kërkoi të shikonte pamjet e kontaktit në VAR. Diçka e tillë i kushtoi dy pikë djemve të Ancelottit, me këtë të fundit që u ndëshkua me të kuqe për protesta.

Gjithsesi, ndeshja e radhës është shpejt dhe të shtunën në drekë Napoli udhëton drejt kryeqytetit për t’u përballur me Romën vendase. Ekipi ka zbritur sot në fushë për të zhvilluar seancën stërvitore.

Më grupin është bashkuar edhe Elseid Hysaj. Shkodrani qëndron jashtë prej 6 tetorit, ditë kur u dëmtua në ndeshjen kundër Torinos. Mbrojtësi i kombëtares u rrëzua keq në një dyluftim me Ansaldin, por për fat të mirë dëmtimi nuk ishte shumë i rëndë.

25-vjeçari ka lënë pas krahëve problemet dhe është rikthyer të stërvitet me ekipin. Një lajm i mirë për trajnerin Edi Reja, i cili shpreson që lojtari të marrë veten dhe të jetë i gatshëm për dy ndeshjet shtëpiake të kombëtares kundër Andorrës (14 nëntor) dhe Francës (17 nëntor). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!