“Prindërit e mi u dashuruan në dasmë, duke kërcyer”, rrëfehet mjeshtri i valles: Eca në gjurmët e babait

schedule10:06 - 13 Mars, 2024

schedule 10:06 - 13 Mars, 2024

Mjeshtri i valles, Genc Kastrati prej 39 vitesh është pjesë e Ansamblit dhe duket se ky pasion është ngjizur te ai pa ardhur ende në jetë. I ftuar në “Pas Mesnate”, Genci tregoi se dashurinë për vallen e ka të trashëguar nga babai dhe gjithë këtë përkushtim e ka parë gjithmonë në familje.

Sakaq, Kastrati zbuloi se prindërit janë dashuruar në një dasmë, teksa kanë qenë duke kërcyer.

“39 vite në Ansambël bëj në shtator të këtij viti. Vallja popullore është shumë e bukur dhe është pasioni i imi. Është gjithçka për mua.

Vallja ka lindur te unë përpara se unë të lindja, pasi mamaja dhe babai im janë njohur në dasmë. Ndërkohë, që babai im ishte i ftuar nga dhëndri sepse ishte shokë me të, mamaja ime vinte nga Shkodra sepse ishte shoqe me nusen, edhe njihen në dasmë në Tiranë. Babai im po kërcente si gjithmonë dhe sigurisht që mamaja ime u dashurua atë ditë dhe kjo ishte gjeneza e familjes sime. U njohën me njëri-tjetrin dhe më pas linda unë. Unë linda si një pasion i valles popullore, sepse ishte vallja popullore që lidhi babain dhe mamanë time. Sigurisht, që kjo ka qenë e ushqyer nga ata”, u shpreh Genci./abcnews.al