Laçi ka rigjetur rrugën e duhur, duke mundur në dy javët e fundit Teutën dhe Vllazninë. Gjithsesi kurbinasit mbeten në vendin e tetë dhe duhet të vijojnë me rezultatet pozitive. Ndeshja e radhës për ta është ajo ndaj Skënderbeut, e programuar për të shtunën në orën 17:00 në Korçë.
Trajneri Armando Cungu nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Eglentin Gjoni, i cili ka nisur përgatitjet në palestër dhe në dhjetor mund të luajë ndonjë ndeshje. Në klubin kurbinasit kanë nisur të mendojnë edhe për merkaton.
Në janar do të ketë afrime, sikurse edhe largime. “Firot” kanë nisur që tani. Bardhezinjtë kanë mbyllur marrëveshjen me mesfushorin Damian Gjini. Futbollisti 24-vjeçar është aktivizuar vetëm në dy ndeshje në kampionat si zëvendësues dhe palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’u ndarë.
Tekniku Cungu dhe drejtuesit do të vlerësojnë paraqitjen e lojtarëve aktualë dhe deri në dhjetor do të kenë një ide të qartë për ata që mund të jenë të rëndësishëm për bardhezinjtë në arritjen e objektivave sezonalë. /abcnews.al