TIRANË- Gjykata e Lartë urdhëroi, që SPAK të regjistrojë procedim penal për Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendit për 21 janarin. Pas vendimit, familjarët e Aleks Nikës folën për mediat. Mark Nika, xhaxhai i Aleksit, u shpreh se Gjykata e Larta në mënyrë profesionale vendosi që hetimet t’i kalojnë SPAK.
Ai tha se kjo ka qenë kërkesa e tyre, ndërsa shpresojnë që SPAK t’i shkojë çështjes deri në fund.
“Në mënyrë profesionale vendosën që çështja të hetohet nga SPAK. Ai është i obliguar ta hetojë çështjen, për shkak se ka dhe një vendim të Strasburgut”, tha xhaxhai i Aleks Nikës.
Bashkëshortja e Aleksit, Rajamonda Nika, the se e prisnin këtë vendim dhe se në SPAK ka kallëzuar të gjitha aparatin shtetëror, nga Sali Berisha deri tek zyrtarët e tjerë.
“Realisht e prisnim, sepse e drejta gjithmonë fiton dhe undi dhe gjithçka kemi pritur deri tani, u shpërblye më në fund. Shpresojmë të vazhdojnë dhe të trajtohet ashtu siç e meriton. Kemi kallëzuar gjithë zinxhirin, që është nga Sali Berisha dhe deri të më i vogli. Besoj dhe dua ta besoj, sepse SPAK është krijuar për të hetuar më të fuqishmit. Beosj se do të vazhdojë”, tha ajo.
E pyetur nëse audiot që disponon familja Nika do t’i dorëzojë në SPAK, e veja e Aleksit dha këtë përgjigje: “Këtë kemi pritur, vetëm atje”
Avokati Idajet Beqiri, u shpreh para gazetarëve, se do të dorëzojë në SPAK audiokasetën e 21 janarit, që më herët Prokuroria e Posaçme nuk e mori parasysh. Ai theksoi se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK është i detyruar të bëjë hetime dhe t’i shkojë çështjes deri në fund.
“Gjykata urdhëroi të regjistrohet kallëzim penal, por edhe të bëhen hetime, Për rrjedhojë kallëzimi penale ndaj Berishës, Bashës është në SPAK dhe SPAK është I detyruar të bëjë hetime deri në fund. Prokuroria e Tiranës e bëri punën e vet, hetoi disa persona, por Prokuroria e Tiranës nuk e heton dot ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm. Ne i patëm thënë SPAK-ut se kishim edhe audio-regjistrimin që donim ta dorëzonim vetëm aty. SPAK-u nuk e kishte vullnetin as ligjor e as moral dhe nuk e pranoi fare. Nuk e mori video-regjistrimin që ta analizonte dhe të na thoshte se kush e ka kompetencë hetimin. Pra një paragjykim ekstrem. Ne tani do e dorëzojmë patjetër regjistrimin menjëherë në SPAK sapo të thirremi”, tha ai./ n.m.abcnews.al