Bosët politik të Shqipërisë, Artan Fuga: E kanë kthyer politikën në mënyrë jetese

schedule10:36 - 31 Tetor, 2019

schedule 10:36 - 31 Tetor, 2019

“Shoqëria piramidale” është libri më i fundit i akademikut të njohur, Artan Fuga. Ai ishte i ftuar këtë të enjte në “ABC-në e mëngjesit”, ku u shpreh se klasa politikë ka humbur dinamizmin. Në librin e tij, Fuga ka shkruar se taksat tona indirekt janë të kriminalizuara. Sipas tij, ne e luftojmë krimin me paratë që nxjerrim nga krimi.

Por në “Shoqërinë piramidale”, Fuga ka trajtuar edhe konceptin e bosit politik. Sipas tij klasa politike në Shqipëri është më e vjetra dhe i krahason politikanët me biznesmenët.

“Bos politik është sipas konceptit të Maks Veberit thotë që ka politikanë të cilët jetojnë për politikën që do të thotë e kanë pasion, ideal, frymëzim të çiltërsuar për t’i shërbyer publikut dhe nga ana tjetër janë politikanët të cilët jetojnë nga politika. E kanë bërë profesion. Marrin të ardhura, marrin të tëra ato kapitale sociale që i bëjnë të jetojnë në mënyrë krejtësisht të privilegjuar. Këta të dytët ai i quan bosë politikë. Bos politik i cili është i lidhur pas privilegjeve politike dhe nuk i lëshon ato. Po të shikosh klasën politike, klasa politike shqiptare ndofta është më e vjetra në Europë. Pse? Sepse është kapur pas posteve dhe nuk ka këtë koncept, unë vij si deputet apo si kryetar partie rri 5 vjet a 10 vjet dhe them boll, tani do shkoj të shërbej si qytetar. Mjaft i shërbeva, ju lutem më lini rehat të bëj edhe unë jetën time individuale. Ky është politikani që punon për komunitetin. Shërben, por edhe thotë boll shërbeva. Çfarë ndodh me politikanët tanë? Ata janë të instaluar dhe nuk ikin, qofshin deputetë, kryetarë partie, funksionarë të lartë dhe rrotullohen gjithë kohën atje. Do të thotë që politikën e kanë bërë një mënyrë jetese sikurse e ka bërë një biznesmen në mënyrë krejt të natyrshme biznesin e tij. Prandaj quhet bos. Bosi i Maks Veberit fut brenda edhe biznesmenin dhe politikanin e rëndësishëm sepse thotë që funksionojnë mbi të njëjtin parim. Investoi si bos politik fushatë elektorale, influencë, trafik, para, premtime e tëra me radhë që të marrë investimin. Investimi që është pushtet, kapital dhe para”, tha Fuga.

Një deputet shqiptar më ka thënë para 5 vjetësh dhe më ka tronditur në një bisedë. Më tha, profesor, po ti 5 vjet rri profesor apo ke gjithë jetën. I thashë që e kam marrë titullin dhe e mbaj aq sa do punoj. Epo unë tha që jam deputet, pse ta marr dhe ta le. Nuk është puna se ma tha se nuk i besoj fjalës, jam si ty. Shikoj atë që ndodh jo atë që thuhet për atë që ndoh. Statistikisht provohet kjin gjë. Unë them merre klasën politikë në Greqi, në Francë, në Spanjë, në Angli. Shikoni se si ndërrojnë drejtuesit, kurse tek ne mund të krahasohemi me vendet e Ballkanit. Madje mund të quhet naive kjo që them, por unë kështu e kuptoj demokracinë, jo piramidale”, tha Fuga.

Në fund ai tregoi edhe mesazhin që do të japë me librin e tij.

“Sipas meje, kjo piramidë e cila është bosh është ngritur në të gjitha fushat. Nuk është ngritur nga një person. Është ngritur ditë pas dite dhe brenda nuk ka qytetarë. Është një institucion që brenda në vendimmarrje aktive nuk ka qytetarë. Është një piramidë boshe. Ideja është që ko gjeometria ka një ves brenda vetes. Nuk mund të jetojë ekonomia pa konsumatorin. Nuk mund të ketë media pa lexuesin, apo pa audiencën. Nuk mund të kesh shoqëri pa individë. Mund ta mbash atë, me të gjitha marifetet e mundshme, por ajo shkon drejt degradimit dhe këtë kam si mesazh ndaj klasës politike, qytetarit, ndaj ne vetë”, tha Fuga./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!