Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Spitali Universitar i Traumës ka publikuar në rrjetet sociale zyrtare të SUT një urim të veçantë nga e sopranoja e jashtëzakonshme Ermonela Jaho, për përkushtimin dhe humanizmin e të gjitha mjekeve, infermiereve dhe grave të personelit mbështetës të SUT.
Postimi:
“Gëzuar 8 Marsin, me një urim për të gjitha gratë dhe vajzat, mjeke, infermiere dhe personel mbështetës, nga e jashtëzakonshmja, soprano Ermonela Jaho!”- shkruan Spitali Universitar i Traumës.
Në video soprano Ermonela Jaho shprehet: “Përshëndetje të gjithëve!
Me rastin e 8 Marsit ndjej kënaqësinë të uroj nga zemra të gjithë nënat dhe motrat shqiptare. Por në veçanti dëshiroj të uroj gratë dhe vajzat e Spitalit Universitar të Traumës, mjeket, infermieret dhe të gjithë personelin femëror mbështetës të këtij spitali.
Sepse janë pikërisht ato që me përkushtimin, kurajon, aftësinë dhe sakrificën e tyre të pashoq, shpëtojnë çdo ditë jetë të të gjitha moshave, prej fatkeqësive të traumave të të gjitha llojeve, duke kthyer shpresën dhe mirënjohjen në çdo familje shqiptare.
Një përqafim i ngrohtë për ju dhe ju uroj me shpirt që të keni shëndet dhe lumturi në familjet tuaja.
Mirënjohje pafund për misionin tuaj kaq human!
Gëzuar 8 Marsin!