Sarri me “valixhe në duar”, te Lazio piketojnë një “ish” për pankinën

schedule14:16 - 7 Mars, 2024

schedule 14:16 - 7 Mars, 2024

Eleminimi në fazën e 1/16-ve, të UEFA Champions League, nga “Bavarezët” e Bayern Munich, megjithëse i pritshëm ka trazuar jo pak ujërat, te “Të Kaltërit” e Lazio, me teknikun, Maurizio Sarri, i cili menjëherë pas sfidës “kërcënoi”, Presidentin Lotito, se nevojitet një revolucion në skuadër, në merkaton e verës e nëse kjo gjë nuk realizohet ai do të largohej nga “Olimpico”.

“Ka përfunduar cikli te Lazio, sepse nuk kemi më një skuadër të re. Në verë nevojitet një revolucion, përndryshe do të largohem”,- u shpreh tekniku italian dhe në mediat vendase kanë nisur aludimet e para në lidhje me këtë deklaratë, ku ndër këto aludime është kalimi i strategut 65-vjeçar, në pankinën e Fiorentina.

Në të tilla rrethana, te Lazio kanë filluar të mendojnë për emrin e radhës, ku më i pëlqyeri është një “ish” i skuadrës së tyre, i cili tanimë drejton një nga skuadrat më me emër në futbollin evropian dhe padyshim një ndër më të njohur, kur bëhet fjalë për elitën e futbollit, në Portugali, më konkretisht “Dragonjtë” e Porto.

Emri i tij është Sergio Conceciao, me ish-anësorin e sulmit, që ka kaluar dy periudha të ndryshme, te Lazio, gjatë karrierës së tij futbollistike, në sezonet, 1998-2000 dhe 2003-2004, ku la jo pak “gjurmë”, teksa me “Shqiponjat e Kaltërta” arriti të fitojë thuajse gjithçka, duke filluar nga titull i Serie A, në vitin 2000, dy herë Kupën e Italisë, në vitin 2000 e 2004, Kupën e Kupave, në sezonin 1998-1999, Superkupën e Italisë në po të njëjtin sezon, si dhe Superkupën e Evropës, në sezonin 1999-2000.

Ashtu si në fushën e blertë edhe në pankinë po rezulton të jetë deciziv, teksa që prej korrikut të vitit 2017 udhëheq “Dragonjtë” në suksese të njëpasnjeshme, teksa ka arritur të fitojë plot 10 trofe, 3 herë kampionatin portugez, 3 herë Kupën e Portugalisë, 3 herë Superkupën e Portugalisë, si dhe 1 herë kupën e Ligës dhe tanimë duket se Conceciao është gati për të marrë në dorë “frerët” e një ekipi të ri, dhe nuk mund të kishte aventurë më të bukur se te një nga skuadrat ku kaloi vitet më të bukura të karrierës si futbollist. /i.m /abcnews.al