Gara e parë e sezonit të ri në Formula 1 solli vetëm vendin e katërt për pilotin e skuderisë “Ferrari” Charles Leclerc, i cili ndonëse u nis i dyti, nuk arriti të bëjë më mirë edhe për shkak të një problemi me sistemin e frenimit, duke lejuar kështu, “tulipanin” holandez, Max Verstappen, të dalë triumfator në Çmimin e Madh të Bahreinit.
Megjithatë gara e parë e sezoni është hedhur menjëherë “pas krahëve”, sepse këtë pasdite makinat e Formula 1 do të zbresin në pistën e Xhedahut në Arabinë Saudite për sesionin e parë dhe të dytë të provave të lira, me të tretin dhe provat zyrtare të planifikuara për të premten dhe garën për të shtunën.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, piloti nga Monako, i cili drejton “Kokëkuqen”, njëvendëshe SF-24, është shfaqur mjaft optimist për një performancë edhe më të mirë në garën e dytë, teksa ka deklaruar se makina është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, ku ka shtuar se këtë sezon pritet të jenë shumë më konkurrues se një vit më parë.
“Makina duket se shkon edhe më mirë sesa e prisnim dhe jemi të kënaqur, megjithatë është ende herët për të bërë konkluzione, pasi është zhvilluar vetëm një garë. Nëse do të mbajmë këtë performancë, jam i bindur që këtë sezon do të jemi shumë më konkurrues, megjithatë dihet që ‘Red Bull’ është një hap përpara të gjithëve. Problemi me sistemin e frenimit ishte diçka e izoluar, që nuk besoj se do të ndodhë sërish”,- u shpreh piloti i “Ferrari”. /i.m /abcnews.al