Kriza humanitare në Gaza, dërgohen të tjera ndihma nga ajri

schedule11:04 - 6 Mars, 2024

schedule 11:04 - 6 Mars, 2024

Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Jordania hodhën nga ajri të tjera ndihma humanitare për civilët palestinezë që qëndrojnë ende në veri të gazës. Referuar njoftimit zyrtar nga Uashingtoni, hodhën me parashutë më shumë se 36.800 ushqime.

Gjendja në veri të enklavës palestineze është më e rëndë. Agjencitë humanitare nuk janë në gjendje të shkojnë atje për shkak të luftimeve të rënda dhe rrezikshmërisë së lartë. Për këtë arsye këto ndihma u hodhën pikërisht në këtë pjesë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se uria dhe kequshqyerja ishin në rritje tek fëmijët dhe gratë shtatzëna në Gaza.

Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se 15 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja apo dehidrimi vetëm në një spital.

Në një postim në X, agjencia shëndetësore e OKB- së, tha se i vetmi spital pediatrik në Gazën veriore ishte i mbingarkuar me pacientë dhe po përballej me mungesa akute të ushqimit, ujit, karburantit, punonjësve shëndetësorë dhe ilaçeve.

“Nevoja për qasje në ndihma humanitare është e domosdoshme. Kequshqyerja është arsyeja kryesore se përsë fëmijët shtrohen në spital.

Ky është edhe shkaku e shumë vdekjeve. As 50-60% të rasteve që shtrohen nuk i trajtojmë dot siç duhet, sepse nuk kemi çfarë t’u japim. Më së shumti që mund të bëjmë për ta është t’u japim solucion të kripur ose tretësirë sheqeri”, tha një doktor.

OBSH gjithashtu theksoi kërcënimin për kujdesin ndaj pacientëve që vjen nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në spitalet në Gaza.

Furnizimi me ndihma në pjesët e tjera të Gazës, i përkeqësuar prej se nisi lufta më 7 tetor, është kufizuar gjatë  muajve të  fundit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!