Valdet Rama është një nga “djemtë” e luftës”, i cili së bashku me familjen u largua nga Kosova dhe nisi një kapitull të ri në Gjermani. Sulmuesi i SV Meppen ka një sfidë të veçantë të enjten, kur skuadra e tij do të përballet me BSV Rehden. Rama do të takohet me Heiner Backhaus, i cili e drejton skuadrën gjermane.
Mes tyre ka një lidhje të fortë: “Ne jemi miq të mëdhenj. Valdet Rama është ende i pari që më uron ditëlindjet”. Backhaus është njeriu që i dha një ndihmë të madhe sulmuesi shqiptar të hedhë hapat e parë në futboll. Ishte pikërisht ai që e zbuloi dhe dërgoi te RW Essen U19.
“I jepte shumë gojës që në fillim” – kujton Backhaus. “Më tha: Ti je futbollist profesionist? Luaj me mua. Edhe pse ishte shkurtabiq, u lodha goxha me të”, shprehet trajneri i BSV Rehden, i cili më pas shfrytëzoi miqësinë që kishte me trajnerin e moshave të RW Essen.
Rama e kishte befasuar, ndërkohë që edhe miku i tij u mahnit menjëherë nga cilësitë e sulmuesit shqiptar. Vetë Backhaus tregon: “Ai menjëherë më tha: Si është puna me atë djalin, qenka alamet lojtari?” . Të enjten “shkurtabiqi” do e sfidojë sërish trajnerin që e zbuloi në një fushë futbolli krejt rastësisht. Sigurisht para ndeshjes do të ketë një takim të përzemërt dhe më pas do nisë “lufta”. /abcnews.al