Shqipëria në panairin e turizmit në Berlin/ Kumbaro për ABC News: Duam shtrirje dhe turizëm të qëndrueshëm

schedule14:31 - 5 Mars, 2024

schedule 14:31 - 5 Mars, 2024

BERLIN– Për tre ditë radhazi Shqipëria do të ketë stendën e saj të përfaqësimit në Panairin e Berlinit, e shpallur edhe si vendi i nderit në ketë event te rëndësishëm ku do të paraqesë edhe ofertën turistike.

Pritshmëritë janë optimiste edhe për këtë vit pasi vetëm në janar rreth 500 mijë vizitorë të huaj erdhën në vend, ndërsa përgjatë  dy mujorit përmes aeroportit të Rinasit kanë hyrë mbi 1.2 milionë vizitorë.

Ministrja e Turizmit nga Berlini, Mirela Kumbaro në intervistë për “Money Report” në ABC News tha se Shqipëria po i prezantohet Evropës me të gjithë potencialin që ajo ka në fushën e turizmit.

Sipas saj, qëllimi kryesor i Shqipërisë është forcimi i turizmit të qëndrueshëm për një shtrirje gjithëvjetore.

“Shqipëri ka marrë pjesë disa herë në Panairin e Berlinit, ashtu sikurse janë rritur pritshmërinë, këtë vit vijmë në një stendë më dinjitoze. Shqipëria po nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme me Panairin e Berlinit, që për 2025, Shqipëria të jetë vend i nderit për Panairin e Berlinit. Vijmë me një logo të re, “Shqipëria me të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj”. Kjo logo do ta shoqërojë Shqipërinë në këtë rrugëtim 1 vjeçar dhe për të shkuar drejt asaj, që kemi objektiv “Shqipëria, kampione e Ballkanit në turizëm në 2030.  Ne do t’u prezantojmë turizmin e Shqipërisë në të gjithë dimensionin e saj, Ne duam një turizëm gjithëpërfshirës”, tha ajo.

Ajo tregoi se harta e turistëve, të cilët zgjedhin Shqipërinë për pushime po vjen në rritje.

“Padyshim që do vazhdojmë të kemi tregun besnik që na vjen nga rajoni, këtu kam parasysh Kosovën, Maqedoninë e Veriut.  Italia pritet të ketë një rritje, do ketë rritje të turistëve italianë. Gjermania pritet të këtë një rritje dhe një interes të shtuar. Franca ka një interes të madh, Spanja është në rritje dhe ka një interes të shtuar. Harta është duke u zgjeruar. Kërkesat e turizmit janë më shumë për të bërë një rajon të tërë. Tani synimi ynë është që Shqipëria të bëhet pjesë e hartës rajonale të Mesdheut”, shtoi ajo.

Shqipëria do të presë në datat 7-9 prill mbledhjen e 70−të të Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit  në të cilin do të marrin pjesë 40 ministra të Turizmit nga e gjithë bota.

Duke folur nga panairi i turizmit, i cili po mbahet ne Berlin, ministrja e turizmit Mirela Kumbaro theksoi se ky organizim do të jetë një tjetër  nxitje për turizmin shqiptar. / n.m.abcnews.al