Bisedimet për armëpushimin ndërmjet Hamasit dhe ndërmjetësve u ndërprenë të martën në Kajro pa asnjë përparim.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Bassem Naim tha se grupi militant palestinez i paraqiti ndërmjetësuesve propozimin e tij për një marrëveshje armëpushimi gjatë dy ditëve të bisedimeve dhe priste një përgjigje nga izraelitët, të cilët qëndruan larg këtij raundi.
“Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe topi tani është në fushën e amerikanëve” për ta shtyrë atë për një marrëveshje, citohet të ketë thënë Naim.
Izraeli ka refuzuar të komentojë publikisht mbi bisedimet në Kajro.
Por zyrtarët kanë thënë se Izraeli nuk ka dërguar një delegacion në bisedime pasi ata po kërkojnë që Hamasi të paraqesë një listë me 40 pengje të moshuar, të sëmurë dhe femra, të cilët do të ishin të parët që do të liroheshin si pjesë e një armëpushimi që fillimisht do të zgjaste gjashtë javë.
Hamasi kërkon ndërkohë që ndihma humanitare në shkallë të gjerë duhet të lejohet në Gaza dhe që palestinezët e zhvendosur nga shtëpitë e tyre në veri të brezit bregdetar të lejohen të kthehen.