Fëmijët po vdesin nga uria në Gazën veriore, thotë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vizitat e agjencisë gjatë fundjavës në spitalet Al-Awda dhe Kamal Adwan ishin të parat që nga fillimi i tetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, ai foli për “gjetje të zymta”.
Mungesa e ushqimit rezultoi në vdekjen e 10 fëmijëve dhe “nivele të rënda të kequshqyerjes”, ndërsa ndërtesat e spitaleve janë shkatërruar, shkroi ai.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza raportoi të dielën se të paktën 15 fëmijë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi në spitalin Kamal Adwan.
Një fëmijë i gjashtëmbëdhjetë vdiq të dielën në një spital në qytetin jugor të Rafah, njoftoi të hënën agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, raporton BBC.
Tedros raportoi “nivele të rënda të kequshqyerjes, fëmijë që vdesin nga uria, mungesa serioze të karburantit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, ndërtesa spitalore të shkatërruara” në Gazën veriore, ku rreth 300,000 njerëz jetojnë me pak ushqim ose ujë të pastër.
“Mungesa e ushqimit rezultoi në vdekjen e 10 fëmijëve,” postoi ai në X, i njohur më parë si Twitter.
Vizitat ishin të parat e OBSH-së në muaj “megjithë përpjekjet tona për të fituar akses më të rregullt në veri të Gazës”, shkroi ai.
“Situata në spitalin Al-Awda është veçanërisht e tmerrshme, pasi një nga ndërtesat është shkatërruar,” shtoi ai