Albi Mall Superliga/ Hazrollaj nderon Malishevën me 3 gola, Prishtina mund pastër Lirinë

schedule13:56 - 4 Mars, 2024

schedule 13:56 - 4 Mars, 2024

Pas një fitoreje të mrekullueshme në transfertën e Gjilanit, Malisheva e ka bërë të qartë se është një pretendente serioze për një vend mes të kualifikuarave për në kupat evropiane, këtë edicion, ku sërish protagonist absolut ishte talenti 20-vjeçar i “Dardanëve”, Drilon Hazrollaj, i cili shënoi një tripletë, për t’i dhuruar 3 pikë skuadrës së tij.

Hazrollaj tundi dy herë rrjetën në pjesën e parë, në minutat 19’ e 39’, me këtë të fundit, që e shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa golin e tretë e shënoi në minutën e 86’-të, për të nxjerrë “të pavlefshëm”, golat e Senad Jarovic e Kushtrim Shabanit, të shënuar në minutat 9’ e 75’, duke siguruar kështu fitoren e katërt radhazi për skuadrën e tij.

Në ndeshjen tjetër, Prishtina shënoi fitore ndaj Lirisë, me rezultatin e thellë, 3 me 1, duke i dhënë fund serisë prej tri ndeshjeve pa fitore në kampionat. Kryeqytetasit treguan karakter dhe shfaqën një lojë të mirë përballë skuadrës së fundit në renditje, duke siguruar pikët e plota me golat e Ardian Mujës, Kreshnik Ukës dhe Leotrim Kryeziut, ndërsa golin e “nderit”, për prizrenasit e realizoi Aldi Gjumsi.

Falë këtyre rezultateve, Malisheva ngjitet në kuotën e 41 pikëve dhe mbetet në vendin e 4-t, teksa siç theksuam edhe më lart është vetëm 2 pikë larg zonës së kupave të Evropës. Pas tyre në renditje vjen Prishtina me 34 pikë, ndërsa Gjilani e Liria ndodhet në vendet 8 e 10 të tabelës, me nga 22 e 10 pikë, teksa janë pranë rënies nga kategoria. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!