Nisja e një ekuipazhi të ri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) u shty për herë të dytë. Një përpjekje e re është planifikuar për të hënën në mëngjes.
Nisja e një ekuipazhi të ri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), e planifikuar fillimisht për të dielën në mëngjes me orën gjermane, u shty për një ditë për shkak të kushteve të motit. Tani ekuipazhi është planifikuar të arrijë të hënën në mëngjes në orën 4:53 (CET), njoftoi agjencia amerikane e hapësirës NASA në platformës online X. Kjo është shtyrja e dytë e nisjes për shkak të kushteve të motit. Nisja e parë ishte planifikuar fillimisht për të premten.
“Crew 8”, i përbërë nga tre amerikanë dhe një rus, do të transportohet në bordin e një kapsule “Crew Dragon” të kompanisë private hapësinore të miliarderit Elon Musk SpaceX nga baza hapësinore Cape Canaveral në shtetin amerikan të Floridës për në ISS. Në këtë mënyrë për të disatën herë që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, astronautë nga të dyja vendet do të fluturojnë së bashku në hapësirë, pavarësisht nga tensionet e mëdha midis SHBA dhe Rusisë. Ankorimi i kapsulës hapësinore është planifikuar për të martën në mëngjes (CET).
Astronautët e NASA-s Matthew Dominick, Michael Barratt, kolegia e tyre Jeanette Epps dhe kozmonauti Alexander Grebenkin pritet të kryejnë kërkime shkencore në bordin e ISS për rreth gjashtë muaj. Ky do të jetë fluturimi i parë hapësinor për Epps, Dominick dhe Grebenkin, me Barrattin, që e ka vizituar ISS dy herë më parë. Aktualisht, në bordin e stacionit hapësinor ndodhet një ekuipazh prej shtatë personash. /DW