Kryeministri Edi Rama thotë se pengesa e vetme më e madhe për të ecur përpara me planin e rritjes së Bashkimit Evropian, është mendësia midis vendeve të rajonit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, Rama u shpreh se përmes deklaratës së përbashkët në Samit, vendet e rajoni kanë treguar vullnet të mirë.
Sipas kreut të qeverisë, nëse vendet nuk do të ecin së bashku, do të jetë dështim për të gjithë.
“Pengesa e vetme më e madhe këtu është mendësia midis vendeve të rajonit, sepse siç e thashë më parë, ky plan i ri i rritjes, sa i takon asaj që duhet të bëjmë në planin rajonal, është ajo për të cilën kemi rëndë dakord 10 vite më parë, në Procesin e Berlinit, ajo që kemi çuar përpara me Ballkanin e Hapur, arsyeja pse për 10 vjet, nuk arritëm të përparonim ishte mendësia dhe ndërhyrja e çështjeve politike dhe retorikës së politkave të brendshme kundër interesave tona. Pra, pengimi i qarkullimi të kamionëve është kundër frymës së Procesit të Berlinit, dhe planit të ri të rritjes. Deri më tani, shohim që ka vullnet të mirë. Deklarata e përbashkët u miratua nga të gjashtë vendet, ndaj le të shohim. Nëse i bëjmë gjërat së bashku, do të ecim të gjithë. Nëse jo, do të dështojmë të gjithë. Të përfitosh nga ajo që ky plan sjell, duhet të japim rezultate. Është puna e brendshme. Plani i rritjes nuk është i shkëputur nga reformat. Plani i rritjes është bashkëudhëtar i procesit tonë në rezultatet në reforma. Ne si Shqipëri na duhet të ecim përpara me një valë reformash”, theksoi ai./abcnews.al