Mbahet këtë të mërkurë në Tiranë samiti për Ukrainën. I pranishëm është edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në kryeqytet në orët e vona të mbrëmjes të së martës. Ai u prit në aeroportin e Rinasit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Para nisjes së samitit, Zelensky u prit nga kryeministri Edi Rama në kryeministri. Rama dhe Zelensky zhilluan një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Rama dhe Zelensky hapën samitin në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura. Rama e Zelensky dolën para mediave në përfundim të Samitit.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës kur nisi pushtimi rus. Po ashtu, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Ukrainës.
Ora 15:12 Deklarata e përbashkët e Samitit/ Mbështetje Ukrainës, të gjithë kundër Rusisë. Vuçiç kundër Rusisë
Pas mbylljes së Samitit për Ukrainën në Tiranë, është publikuar deklarata e përbashkët e liderëve të cilët morën pjesë. Deklarata dënon pushtimi rus të Ukrainës dhe të gjithë liderët janë kundër aneksimit të Krimesë. Liderët kanë ofruar mbështetje për Ukrainën, teksa edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është pozicionuar kundër Rusisë. Vuçiç është shprehur pro deklaratës së Samitit për Ukrainën.
Gjatë fjalës së tij, në samitin për Ukrainën në Tiranë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar të organizohet një forum i përbashkët për fushën e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit. Ai ka falenderuar të gjitha kombet për punën e mirë që është bërë për Ukrainën. Sakaq, ka thënë se gjithçka që i bën ata së bashku partner të mirë, e bën Putinin më të dobët.
“Së pari, ne besojmë që çdo komb në Europë që ruan parimet meriton integrimin plot. Ukraina ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që po na jepni për integrimin tonë. Së dyti, u jam mirënjohës të gjitha kombeve dhe shteteve për formulën e paqes. Avantazhi është që çdo pikë e kësaj marrëveshje mund të zgjidhet. Të gjithë mund të kontribuojë në paqen. Prandaj, ju ftoj të merrni pjesë në samitin e Paqes që do të mbahet në Zvicër.
Ora 12:03 Samiti për Ukrainën në Tiranë, Rama: Prania e Zelenskyt është një kujtesë që Putin nuk ia ka dalë
Gjatë fjalës së tij në Samitin për Ukrainën në Tiranë, Rama deklaroi se prania e Zelenskyt, është një kujtesë që presidenti rus, Vladimir Putin nuk ia ka dalë.
“Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia e kombeve nuk e zgjodhën. Prania juaj këtu është një kujtesë që ai nuk ia ka dalë. Rusia nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur të Ukrainës. Nuk ia ka dalë të shtypë të vërtetën. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta, por Ukraina është e ankoruar në Evropë. Shoh fytyra të reja, miqësore, të gjithë ne këtu jemi bërë bashkë për t’u takuar, për të folur për sfidat tona. Pavarësisht asaj për të cilën mund të mos biem dakord, e ardhmja që shohim është e ardhmja e përbashkët. Prania juaj këtu ketu na bën thirrje, që e njëjta shpresë na bashkon tanimë me popullin ukrainas. Sapo kemi shënaur përvjetorin e dytë të luftës dhe jemi këtu për mbështetjen e Ukrainës. Duam të ripërtërijmë thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndalë këtë luftë. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtën e saj. Mbetemi të vendosur ndaj Ukrainës”, theksoi ai.
Ora 11:21 Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbërrin në Samitin për Ukrainën
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Samitin për Ukrainën që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Ai së pari ka takuar kryeministrin Edi Rama dhe më pas presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Sakaq, Vuçiç është pyetur nga gazetarët për sanksionet ndaj Rusisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbërritur në Samitin për Ukrainën që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Osmani u prit nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ora 11:05 Zelensky mbërrin në Samitin për Ukrainën në Tiranë, pritet nga kryeministri Edi Rama
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahet samiti Ukrainë-Evropa Juglindore.
Zelensky u prit nga kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare do të presë liderët dhe më pas do të mbajë një fjalë publike me Zelenskyn.
Ora 10:35 Samiti për Ukrainën/ Zelensky i jep dekoratë Ramës në Tiranë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka dhënë një dekoratë kryeministrit Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Zelensky i dorëzoi Ramës çmimin “Yaroslav i Urti’ për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen që kryeministri shqiptar i ka orfuar Ukrainës. Ndërkaq, Shqipëria dhe Ukraina kanë firmosur traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimin mes dy shteteve.
Ora 10:21 Zelensky në Tiranë, firmoset traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Shqipëria dhe Ukraina kanë firmosur traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimin mes dy shteteve. Firmosja e traktatit u bë në Kryeministri, nga kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky. Rama dhe Zelensky do të hapin samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura.
Ora 09:03 Samiti për Ukrainën, Rama pret Zelenskyn në Kryeministri
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka pritur mëngjesin e kësaj të mërkure, Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kryeministri. Të dy liderët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama, një mik të palëkundur të Ukrainës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky është shprehur se në Tiranë, ku do të zhvillohet samiti Ukrainë-Evropa Juglindore, do të diskutojë me Ramën për bashkëpunimin në mbrojtje dhe politikë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmyrti Kuleba është shprehur mirënjohës për organizimin që Shqipëria ka kryer në lidhje me samitin për Ukrainën. Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun shqiptar, Igli Hasani, Kuleba u shpreh se Rusia duhet të përgjegjëse për krimet e luftës.”Eshtë vërtet mirë të jesh në Tiranë, iu jam mirënjohës që organizuat këtë samit të rëndësishëm. Ky samit tregon sesa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon, mbetemi të bashkuar. Sot, Igli dhe unë diskutuam bashkëpunimin dypalësh. Shqipëria është mike e Ukrainës. Dua të falenderoj Shqipërinë për ndërmarrjen e saj humanitare. Çdo mbështetje që Shqipëria i ofron Ukrainës është e mirëpritur. Sot informova ministrin për situatën në front, sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë çdo ditë. I kemi kushtuar rëndësi të veçantë integrimit evropian. Ne ramë dakord të vazhdoijmë të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit evropian. Shqipëria është edhe një partnere e rëndësishme si anëtare e NATO-,s diskutuam përgatitjet për samitin e NATO-s në Uashington. Pritshmëritë tona janë që një prej rezultateve të samitit të Uashingtoni do të jetë një hap më përpara për anëtarësimin e Ukrainës. Ne biem dakord se trysnia e OKB duhet të intensifikohet.”, theksoi ai.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mbajtur një deklaratë për shtyp me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba para nisjes së samitit për Ukrainën që do të mbahet në Tiranë. Hasani theksoi se Shqipëria mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe planin 10 pikësh të Zelenskyt për paqen. Hasani deklaroi se po punohet për të hapur ambasadën shqiptare në Kiev brenda këtij viti.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një postim për samitin që do të mbahet sot për Ukrainën. Kreu i qeverisë shkruan se ndihet krenar për Shqipërinë që pret sot samitin dhe liderin ukrainas në këtë takim solidariteti dhe angazhimi të mëtejshëm kundër agresionit rus në Ukrainë.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
AGJENDA E SAMITIT:
09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Në qershor 2022 Rama udhëtoi në Kiev ku zhvilloi një takim me Zelenskyn pasi kishte nisur agresioni rus në Ukrainë. Shqipëria si vend anëtar i NATOs ka dhënë ndihma humanitare, përfshi autoambulanca Ukrainës, gjatë agresionit rus.
Më 20 shtator Rama drejtoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku u përplas me ambasadorin rus për fjalën e dhënë Presidentit të Ukrainës. Po në këtë datë, pati takim Rama-Zelensky ku u shpall edhe hapja e ambasadës sonë në Kiev.
Në dhjetor 2023 Zelensky dekoroi Ramën me urdhrin më të lartë të Ukrainës për kontributin ndaj vendit të tij. Më 19 Janar 2024 Zelensky e telefonon dhe foli ndër të tjera për ndihmë nga Shqipëria për stërvitje të ushtarëve të saj. /abcnews.al