Një ditë më parë, qeveria firmosi marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. BERZH do të financojë rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore me një vlerë prej rreth 99 milionë eurosh. Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku e cilësoi si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme.
Eksperti për ekonominë, Adrian Civici theksoi se këto investime të BERZH ecin paralel me strategjitë e BE-së. Ai tha se këto financime masive, përveçse garantojnë zhvillimin vendas, lidhin më shumë vendet e rajonit me njëri-tjetrin, dhe për rrjedhojë përshpejtojnë procesin drejt integrimit evropian.
“Vendet e rajonit janë të vogla, tregu lokal brenda çdo vendi është i vogël dhe ajo që kërkohet të stimulohet është bashkëpunimi rajonal drejt krijimit të një tregu më rajonal dhe plotësimit dhe bashkëpunimit në strategjinë e tyre të zhvillimit që të ketë sa më shumë projekte me shtrirje përtej një vendi dhe të lidhura me vendet e BE-së por edhe zhvillimet e reja të vetë strategjisë së BERZH me vendet e Mesdheut për t’i integruar më mirë këto vende”, u shpreh Civici.
Ai theksoi se përveç instrastrukturës së gjerë, sektorë të tjerë potencialë janë edhe investimet në fushën e dixhitalizimit dhe inteligjencës artificiale apo edhe energjisë së rinovueshme.
“Sektorë të tjerë potencialë përveç infrastrukturës së gjerë, porte, aeroporte, kanë të bëjnë edhe me të gjithë zhvillimet e investimet në dixhitalizim dhe inteligjencë artificiale, me investimet në energjinë e rinovueshme, dhe projektet që realizojnë atë që është një nga strategjitë kryesore të BE-së, tranzicioni energjitik, zëvendësimi i energjisë fosile me energji më të qënndrueshme që përveç të tjerash ka një efekt të madh në ndalimin e pasojave të ndryshimeve klimaterike që po bëhen shqetësuese. Duke iu referuar disa përfaqësuesve të BE, edhe vetë BE e shikon BERZH dhe projektet e tij si një instrument më shumë në projektet e konvergjencës me BE për të financuar këto projekte dhe reforma që ndikojnë në përshpejtimin e standarteve të integrimit rajonal”, shtoi Civici.