Një satelit që ka qenë në orbitë për gati 30 vjet ka rënë përsëri në atmosferën e Tokës, deklaroi Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA). Sateliti ”ERS-2” ra në Oqeanin Paqësor të Veriut, diku midis Alaskës dhe Havait duke i dhënë fund një orbite gati tre dekadash.
Sateliti u lëshua në 1995 pas satelitit ”ERS-1”, i lëshuar katër vjet më parë. Në atë kohë, të dy ishin satelitët më të sofistikuar të vëzhgimit të Tokës të zhvilluar ndonjëherë.
Në vitin 2011, ESA ”nxori në pension” ERS-2, i cili ishte ende duke funksionuar, dhe filloi procesin e deorbitimit.
Gjatë jetës së tij operative, ”ERS-2” ka mbledhur të dhëna për pakësimin e akullit polar të Tokës, ndryshimet në sipërfaqet e tokës, rritjen e nivelit të deteve, ngrohjen e oqeaneve dhe kiminë atmosferike.
”ERS-2” është thirrur gjithashtu për të monitoruar fatkeqësitë natyrore, të tilla si përmbytjet e rënda dhe tërmetet, në pjesë të largëta të botës.