TIRANË- Qeveria ka rishikuar për herë të parë buxhetin 2024. Ministri i Financave, Ervin Mete u shprehe se ky ndryshim vjen pas ecurisë pozitive të ekonomisë, por dhe riorganizimit te disa ministrive.
Të ardhurat janë projektuar në rritje për pjesën e mbetur të këtij viti, ndërsa janë rishikuar edhe shpenzimet ku do të përfshihen edhe mbështetja ndaj industrisë fason, por dhe financimi i portit të ri tregtar.
Këto masa të shpejta të qeverisë shqiptare u komentuan nga ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj.
E ftuar në emisionin “Money Report” në ABC News, Nunaj u shpreh se ky rishikim i shpejtë ka qenë domosdoshmëri për shkak të riorganizimit të disa ministrive.
“Ky rishikim i shpejtë në kohë ishte i nevojshëm për shkak të zhvillimeve. Nuk mund të shmangej dhe nuk mund t’i lëmë këto ministri të reja pa fonde dhe pa punë”, u shpreh ajo.
Ajo u ndal tek performanca e ekonomisë gjatë vitit 2023. Sipas Nunajt, fakti që borxhi publik ka ardhur në rënie dëshmon se strukturat e shtetit kanë funksionuar mirë.
Ajo theksoi se një tjetër element, i cili ka ndikuar në uljen e borxhit publik është kursi i këmbimit valutor.
“Vetë buxheti i vitit 2024, kishte si objektiv uljen e borxhit publik nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Realizimi i këtij plani që në 2023, është një lajm i mirë. Kjo tregon se institucionet kanë reaguar mirë dhe kanë mbajtur nën kontroll ekonominë. Ulja e nivelit të borxhit është një lajm i mirë. Një element favorizues ka qenë kursi i këmbimit, duke paguar norma interesi më të ulëta. Nëse ne ruajmë këtë nivel, ekonomia shqiptare do bëhet më tërheqëse nga investitorët e huaj, por edhe atë vendas”, tha Teuta Nunaj.
Ekonomia shqiptare gjatë 2023 është renditur e dyta në rajon, pas Serbisë dhe një kontribut të madh ka dhënë sektori i turizmit.
Ekspertja theksoi se përgjatë këtij viti, turizmi dhe bujqësia duhet të kenë vëmendjen të shtuar pasi kontribuojnë në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
E pyetur nëse sekrori i turizmi do jetë prioritet kryesor i qeverisë për këtë vit, Nunaj bëri këtë koment:
“Besoj se po, për sa kohë që qeveria shqiptare e ka vendosur turizmin si shtylla bazë e ekonomisë. Por kjo nuk do të thotë, që të lihen pas edhe sektorët të tjerë. Psh edhe sektori i bujqësisët, i cili e mbështet këtë sektor tek pjesa e agroturizmit. Bujqësia ka 1/5 e prodhimit të brendshëm bruto dhe janë sektorë themeltarë dhe të rëndësishëm. Janë dy shtylla që bashkohen me njëra tjetrën dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën për t’u zhvilluar dhe për të rritur të ardhurat”, tha ajo./ n.m.abcnews.al