Ndeshja mes Fiorentinës dhe Lazios ka qenë e jashtëzakonshme. 3 gola, karton të kuq dhe një luftë në fushën e lojës. Në fund, ishin lacialët ata që triumfuan në transfertë, falë golit të Immobiles një minutë nga fundi.
Takimi nisi shumë mirë për Fiorentinën, që u mundua të shtyjë përpara dhe të vërë në vështirësi mbrojtjen e kaltër. MEgjithatë, djemtë e Inzaghit u mbrojtën mirë, madje, arritën të kalonin të parët në avantazh. Sulmuesi Correa në minutën e 22-të, kaloi në avantazh miqtë, duke shokuar të gjithë të pranishmit në Firence.
Megjithatë, Fiorentina arriti të reagojë dhe gjashtë minuta më vonë, arriti të barazojë. Ribery bën gjithçka mirë nga e majta dhe kroson në qendër, aty ku Chiesa tregohet më i shpejtë se të gjithë dhe shënon.
Me rezultatin 1-1, u luajt një pjesë e madhe e takimit, por në fund, Lazio arriti të marrë fitoren. Si gjithmonë, ishte sulmuesi kryesor i skuadrës, Ciro Immobile ai që shënoi, në minutën e 89-të./abcnews.al
Serie A, java 9
Fiorentina – Lazio 1-2
Chiesa 28′ / Correa 22′, Immobile 89′