Champions League/ Inzaghi i beson “Demit”, Simeone kërkon “surprizën” përballë “të kaluarës”

schedule10:36 - 20 Shkurt, 2024

schedule 10:36 - 20 Shkurt, 2024

Nga Isildo Musta

Më në fund pak spektakël. Pas thuajse 6 ditësh mungesë, pritjes i ka ardhur fundi, teksa mbrëmjen e kësaj të marte, për të gjithë tifozët e sportit të bukur të futbollit rikthehet kompeticioni më i rëndësishëm për klube, në Evropë, UEFA Champions League, me një nga sfidat më emocionuese, të vlefshme për raundin e parë të fazës së 1/16-ve, të këtij kompeticioni madhështor.

Kështu, në “Giuseppe Meazza”, të Milanos, Diego Simeone e Atletico e tij do të përballen me “Zikaltërit” e Inter, nënkampionët aktual, me teknikun argjentinas, që e konsideron këtë sfidë si një përballje me të kaluarën, teksa te “Gjarpërinjtë” e Italisë ka luajtur për plot 3 sezone, nga viti 1996 deri në vitin 1999, teksa ka arritur të fitojë edhe një trofe të UEFA Europa League, por jo vetëm pasi me teknikun e këtyre të fundit, Simone Inzaghi kanë luajtur te Lazio, në periudhën më të mirë në historinë e “Shqiponjave”, teksa në sezonin 1999-2000 fituan kampionatin, Superkupën e Evropës, si dhe Kupën e Italisë, ndërsa një sezon më vonë arritën të fitonin edhe Superkupën e Italisë.

Megjithatë, duket se mbrëmjen e kësaj të marte, në fushën e blertë nuk do të ketë “miq”, me “Zikaltërit”, që kërkojnë të përsërisin “magjinë” e edicionit të kaluar, ku kapën edhe finalen e madhe të kompeticionit, ndërsa “Los Colchoneros” e Atletico Madrid duan edhe njëherë të konsiderohen si “të mëdhenj”, në futbollin evropian, teksa që prej vitet 2016-2017, nuk kanë arritur të shkojnë më shumë se faza çerekfinale e këtij kompeticioni, mirëpo nuk do të jetë e lehtë.

Inter vjen si kryesuese e Serie A dhe pretendetja absolute për fitimin e titullit kampion këtë sezon, teksa pas 25 javësh kampionat ndodhen në vendin e parë të tabelës, me 62 pikë, plot 9 më shumë se Juventus i vendit të dytë dhe jo vetëm, pasi ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur, se “Zonja e Vjetër”, nga ku diferenca mund të shkojë në 12 pikë, çka do të mbyllte përfundimisht “hesapet”, për këtë sezon.

Me një ekip në superformë, “Zikaltërit” do të kërkojnë në sy të tifozëve të tyre “magjinë” e radhës e për këtë Inzaghi do të përdorë më të mirët. Në portë do të jetë Yann Sommer, me “gardianin” zviceran, që është padyshim një ndër më të mirët në Evropë aktualisht, teksa në 31 përballjet e zhvilluara deri më tani ka arritur të mbajë plot 20 herë portën e paprekur. Para tij në mbrojtje priten tre “specialistë”, De Vrij, Bastoni e Pavard, ku pavarësisht cilësisë, sërish tekniku italian do të preferento “veteranin”, Acerbi, në vend të holandezit De Vrij, por sërish mbrojtja mbetet solide.

Në mesfushë nuk ka surpriza pavarësisht se Frattesi e Carlos Augusto po kënaqin drejtuesit. Në krahun e djathtë do të vendoset i “rilinduri”, Matteo Darmian e në krahun e majtë të fushës, “ylli” i akademisë “Zikaltër”, Federico Dimarco. “Dirigjimi” i lojës u takon padyshim më të mirëve, me qendrën e mesfushës që plotësohet nga Calhanoglu, Barella e Mkhitaryan, mirëpo nuk mbaron me kaq. Në sulm janë padyshim dy më të mirët e momentit, Marcus Thuram e kapiteni, Lautaro Martinez, me francezin, që ka shënuar plot 13 gola e ka asistuar 11 të tjerë, në 33 përballje, ndërsa kampioni i botës në fuqi, ka tundur plot 23 herë rrjetën këtë sezon e ka asistuar në 5 raste, e të gjitha këto në vetëm 31 sfida.

Në krahun tjetër tekniku Diego Simeone do të tentojë “surprizën” e madhe, por me një Alvaro Morata të dëmtuar, vështirë se në repartin ofensiv do të ketë ndonjë suprizë, mirëpo siç thonë, “topit nuk i dihet kurrë”. Kështu argjentinasi pritet të përdorë të njëjtin formacion si Inzaghi, atë 3-5-2, ku në portë do të ketë një prej më të mirëve, të 10 viteve të fundit, “shtatlartin” slloven, Jan Oblak, i cili ndoshta nuk ka mbajtur 21 herë portën e paprekur, por sërish në 12 raste, Atletico nuk ka pësuar gol. Në qendër të mbrojtjes janë Witsel, Raul Gimenez e Hermoso, lojtarë jo me pak eksperiencë në elitën e futbollit evropian, por që sërish vështirë se mund t’i bëjnë ballë furisë “Zikaltër”, në fushën e blertë.

Nga krahët në mesfushë janë vendosur Molina e Reinildo, me këta dy të fundit, që janë gjatë gjithë kohës në shërbim të sulmit e mbrojtjes, ku pritet t’i shkaktojnë jo pak shqetësime skuadrës së Simone Inzaghi, sidomos me ndërhyrjet e tyre “klinike”, në prapavijë. Në mesin e fushë, ashtu si tek Inter, janë tre specialistë, Koke, De Paul e Saul, me dyshen spanjolle, që kanë treguar ndër vite se dinë si të dëmtojnë një ekip të madhe, ndërsa De Paul, ashtu si Lautaro, është kampion i botës në fuqi, si dhe një “pitbull” i vërtetë në mesin e fushës, ku di të shkaktojë jo pak probleme për kundërshtarin. Megjithatë, sulmi duket se do të zhgënjejë. Favorit për formacionin titulla është spanjolli, Marcos Llorente, mirëpo Simeone vlerëson gjithashtu edhe Angel Correa e Memphis Depay, me të tre këta lojtarë, që janë në formë, pra gjithçka është e hapur e në krahun tjetër është “fantazisti” farncez, Antoine Griezmann, me 32-vjeçarin, që ka rilindur në “Wanda Metropolitano”, teksa këtë sezon është padyshim ndër më të mirët e Evropës, meplot 18 gola e 7 asistime, në 35 paraqitjet e zhvilluara.

Ndërkaq, sa i përket përballjeve direkte, këtë dy ekipe janë përballur vetëm dy herë në histori, fillimisht në finalen e Superkupës së Evropës, në sezonin 2010-2011, ku asokohe “Bardhekuqtë” e Madridit fitonin me rezultatin e pastër, 0 me 2 fale golave, të Jose Antion Reyes e Kun Aguero, ndërsa përballja e dytë është zhvilluar në kompeticion miqësore, Internatiol Champions Cup, gushtin e verës së 2018-ës, ku “Wanda Metropolitano”, “Zikaltërit” triumfonin me rezultatin minimal, 0 me 1, falë golit të “Demit” të tyre, Lautaro Martinez. /i.m /abcnews.al