Superliga e volejbollit të meshkujve ka kompletuar ditën e shtunë javën e saj të dhjetë me dy sfidat, Tirana-Elbasani dhe Skënderbeu-Teuta.
Bardheblutë dhe korcarët siguruan 3 pikët në kampionat, teksa shënuan fitore në shifrat 3-1. Fillimisht në parket zbritën Skënderbeu dhe Teuta, duke matur forcat në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Pas një nisje të mirë të korçarëve, durrsakët provuan të reagonin, por më pas Skënderbeu rivendosi distancat në pikë, për të fituar setin e parë 25-15.
Në setin e dytë loja ishte më e ekuilibruar, por korçarët u treguan sërish më të saktë, duke fituar 25-22, për të shkuar në 2-0 me sete. Teuta arriti ta rihapte takimin, teksa triumfoi 16-25 në setin e tretë, por më pas në setin e tretë Skënderbeu u shfaq dominuas, teksa fitoi thellë 25-14, duke vulosur suksesin final 3-1. Matias Miranda me 22 pikë si dhe Marildi Musaka e Santiel Kamenica me nga 10 pikë secili, ishin shënuesit më të mirë për skuadrën korçare. Për Teutën nuk mjaftuan Victor Moreira me 16 pikë dhe Denis Rama me 14.
Në sfidën tjetër të luajtur në mbrëmje në sallën “Farie Hoti”, Tirana kaloi gjithashtu me rezultatin 3-1 Elbasanin. Trajneri Arben Sako e nisi duke eksperimentuar disi me formacionin, për t’u ndëshkuar menjëherë nga elbasanasit, të cilët befasuan dhe dolën fitimtarë 22-25 nga seti i parë. Por më pas kampionët në fuqi treguan forcën e tyre reale, teksa dominuan në çdo aspekt në tri setet e tjera, për ti fituar ato në shifra të thella 25-16, 25-12 dhe 25-14. Kështu gjithçka mbyllet 3-1 për Tiranën në një takim që zgjati 1 orë e 23 minuta. Izuchukëu Oforah me 16 pikë, Ledion Martiro me 14 dhe Norgen Baruti me 10 udhëhoqën fazën ofensive të kryeqytetasve, ndërsa për Elbasanin spikatën Andi Garunja me 13 pikë dhe Luis Agushi me 10.
Në ndeshjet hapëse të javës, takime të luajtura të premten, Partizani mposhti Studentin 3-0, ndërsa Vllaznia fitoi me rezultatin 3-1 kundër Erzenit. Pas dhjetë javësh kampionat Partizani kryeson renditjen me pikë të plota, 30, i shkëputur 9 pikë nga Erzeni i vendit të dytë./ h.ll/abcnews.al