Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së refuzon të votojë ndihmën për Ukrainën

schedule10:49 - 14 Shkurt, 2024

schedule 10:49 - 14 Shkurt, 2024

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve refuzoi të martën të mbajë një votim mbi një projektligj për miratimin e ndihmës së re për Ukrainën, duke injoruar thirrjen e presidentit amerikan Joe Biden për republikanët që të “zgjedhin Amerikën” në vend të Rusisë së Vladimir Putinit.

Qëndrimi i Mike Johnson hedh poshtë projektligjin, i cili u miratua dje nga Senati, ku partia demokratike ka shumicën.

Johnson, i cili është i afërt me Trump, kundërshtari i mundshëm i Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, u tha gazetarëve se nuk kishte ndërmend të lejonte as një votim mbi projektligjin.

“Sigurisht që jo”, theksoi ai.

Senati miratoi projektligjin, i cili ofron 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, por miratimi përfundimtar i tij varet nga mbështetësit e ish-presidentit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Unë u them republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve: ju duhet të zgjidhni. Do të mbështesni lirinë apo do t’i bashkoheni terrorit dhe tiranisë?

Do të jeni me Ukrainën apo me Putinin? Do të zgjidhni Amerikën apo Trump?”, tha më herët presidenti demokrat në fjalimin e tij të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.

Në mes të një viti zgjedhor, kjo çështje po shkakton një përleshje mes Biden dhe paraardhësit të tij. Në fjalimin e tij të djeshëm, presidenti 81-vjeçar kritikoi edhe komentet e Trump për NATO-n.

Të shtunën, ish-presidenti tha se do të “inkurajojë” Rusinë të sulmojë anëtarët e NATO-s që nuk paguajnë detyrimet e tyre.

“Është marrëzi, e turpshme dhe e rrezikshme.Ata janë anti-amerikanë”, theksoi Biden. Ai nuk e kupton se NATO bazohet në vlerat themelore të lirisë, sigurisë dhe sovranitetit”, shtoi ai.

“Për Trump, vlerat nuk kanë rëndësi. Gjithçka është pazar”, u ankua presidenti amerikan.

Në Senat, disa republikanë votuan pro miratimit të ndihmës për Ukrainën.

Megjithatë, situata është ndryshe në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë shumicën. Johnson ka refuzuar prej muajsh të shqyrtojë projektligjin nëse nuk ndryshon politika e imigracionit e administratës Biden.

“Siguria kombëtare fillon me sigurinë kufitare”, theksoi sërish ai.

Republikanët po bëjnë thirrje që ndihma për Ukrainën të shoqërohet me politikë më të ashpër të imigracionit pasi një numër rekord i emigrantëve kanë mbërritur në kufirin SHBA-Meksikë.

/abcnews.al