Dinamo ishte pranë marrjes së një pike në transfertë kundër Korabit, por një penallti e akorduar për vendasit vulosi humbjen e bluve. Xhabrahimi u tregua i saktë nga pikë e bardhë në minutat shtesë të ndeshjes dhe i dhuroi kryesimin ekipit të tij.
Dinamo mbyll renditjen e grupit A në Kategorinë e Parë me vetëm një pikë pas gjashtë ndeshjeve të para. Klubi kryeqytetas ka reaguar ashpër në lidhje me gjykimin e ndeshjes.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Dinamo akuzon arbitrat për gjykim të dobët dhe skandaloz. Kulmi sipas bluve ishte penalltia e dhënë në minutat e fundit për vendasit, ndërsa drejtuesit premtojnë se do të ndjekin hapat ligjorë në vijim.
REAGIMI I PLOTË I DINAMOS
“Përgjatë gjithë 90 minutëshit, u pa një gjykim tendencioz i treshes së arbitrave shkodranë, duke dënuar dy herë me kartonë të verdhë brenda 3 minutave të para, lojtarët Boci e Spahija dhe duke vazhduar më vonë edhe me ndëshkimin e Pontrellit.
Kulmi i gjithë takimit, qe edhe penalltia e akorduar në favor të vendasve, në minutën e 90+6, nga ana e arbitrit anësor, ndërsa për atë kryesor ishte lojë e rregullt(!) FK DINAMO nuk dëshiron të dalë në konkluzione të menjëhershme, por i bën thirrje të gjithë instancave drejtuese të futbollit në vend, të reagojnë ndaj të gjithë faktorëve që kërkojnë të luajnë me djersën e lojtarëve në fushë, tifozëve si dhe investimin e sponsorëve të pakët që i kanë ngelur këtij sporti në Shqipëri.
Klubi Blu, do të ndjekë me interes të gjithë hapat ligjorë në vazhdim, konform rregullave, për një futboll të pastër e të drejtë. Skuadra, me lojën e sotme, meritonte të dilte fitimtare nga kjo ndeshje, gjithashtu gjejmë rastin të falënderojmë tifozët vendas për mikpritjen!” /abcnews.al