Uji pa të ardhura/ Jahaj: Qëllimi, të ulim nivelin në 59 %. Po punojmë për një udhëzim, s’ka investime për shoqëritë nëse…

schedule21:11 - 9 Shkurt, 2024

schedule 21:11 - 9 Shkurt, 2024

Drejtori i agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Klevis Jahaj theksoi se targeti për këtë vit është ulja e nivelit të humbjeve në rrjetin e ujësjellësve në të paktën 59 përqind. I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Jahaj shtoi se kjo kërkon një monitorim më të vazhdueshëm në nivel vendor nga agjencia.

“Ajo që kemi evidentuar kryesisht gjatë vitit që kaloi, ka një numër të lartë të subjekteve që nuk furnizoheshin brenda ligjshmërisë që duhet të kenë por edhe kategoria familjare nuk mbetet pas pavarësisht se pjesa jonë gjatë 2023 për këtë kategori, ka qenë e fokusuar në pjesën e informimit, heqjen e paligjshmërisë dhe po kthehemi në rikontrolle të caktuara. Ne sipas strategjisë kombëtare për 2024 parashikojmë që uji pa të ardhura të jenë në nivelet e 62 përqind por ndërkohë duke marrë parasysh ecurinë që kemi pasur gjatë 2023 dhe atë që ne presim të arrijmë në 2024, nëpërmjet mirëmenaxhimit të shoqërive, targeti ynë që në fund të 2024, të jetë në nivelet e 59 përqind. Pra të kemi një reduktim edhe më të madh sesa është parashikuar. Kjo kërkon që monitorimi të jetë i vazhdueshëm. Ne kemi lidhur një kontratë performance me të gjitha shoqëritë rajonale, ku janë parashikuar të gjithë treguesit, qoftë në raport me ujin pa të ardhura por edhe në arkëtimet dhe tregues të tjerë, në mënyrë që ne të bëjmë monitorimin mujor, javor për të arritur qëllimin.”, u shpreh Jahaj.

Drejtuesja e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici theksoi se është e rëndësishme bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

“Gjëja kryesore është të ketë një koordinim dhe bashkëpunim të gjithë aktorëve që janë pjesë e këtij procesi, pushtet lokal dhe qëndror. Nuk mund të themi që vetëm agjencia kombëtare e ujësjellësit duhet të bëjë punën. Nëse do të ketë bashkëpunim të mirë, do të kemi përmirësim. Pjesa tjetër është eficenca e stafit. Fokusi tek trajtimi i stafeve, paralelisht edhe karta e performancës është e rëndësishme sepse i fut në garë, lidhet edhe me investimet që do të jepen.“, tha Farrici.

Jahaj shtoi se po punohet gjithashtu edhe për dixhitalimin e shërbimeve që ofrojnë shoqëritë në këtë sektor. Ai shtoi se po punojnë edhe për një udhëzim për shpërndarjen e investimeve, sipas të cilit shoqëritë, do të ‘ndëshkohen’ duke mos përfituar nga buxheti nëse nuk arrijnë performancë të mirë.

“Ne jemi duke përfunduar një udhëzim për shpërndarjen e investimeve që do të vijnë nga buxheti i shtetit dhe një nga kriteret për shoqëritë që mund të përfitojnë investime është edhe arritja e performancës së tyre. Nëse nuk e arrijnë, ka masa që merren kundrejt administrimit të shoqërive, investime që ndikojnë drejtpërdrejt edhe tek zonat e mbulimit të tyre prandaj është e rëndësishme sepse është një përpjekje e përbashkët“, u shpreh Jahaj./abcnews.al