“Shoqëritë ulën ndjeshëm detyrimet e energjisë elektrike”, drejtori i AKUK: Kësaj problematike i japim fund brenda 2025-ës

schedule20:49 - 9 Shkurt, 2024

schedule 20:49 - 9 Shkurt, 2024

Drejtori i agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Klevis Jahaj thotë se shoqëritë në sektor kanë ulur ndjeshëm detyrimet e energjisë elektrike. I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, ai theksoi se gjatë vitit të kaluar 12 shoqëri kanë arritur të paguajnë 100 % faturën e energjisë elektrike.

Drejtori i AKUK-së u shpreh gjithashtu se, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë nisur një proces auditimi të energjisë, proces që do t’u ofrojë një pasqyrë më të qartë të masave dhe investimeve që duhen ndërmarrë në reduktimin e konsumit të energjisë nëpërmjet burimeve të tjera alternative.

“Në fakt, ne lançuam në sezonin e verës, me fokus për zonën bregdetare ku ishte edhe përqendrimi më i madh i turizmit të vendit, pamë që informaliteti ishte në shkalllë të lartë dhe pati efekt të mirë tek të dhënat jo vetëm në raport me të ardhurat por edhe me arkëtimet. E kemi trajtuar si një proces normal të punës dhe jo vetëm si aksion. Shoqëritë janë të angazhuara të vazhdojnë atë punë që nisi nga qershori, e cila në pjesën e parë të vitit ishte fokusuar nga ana administrative e mbylljes së procesit të transferimit dhe tashmë vazhdon në mënyrë intensive me marrjen e masave, njoftimin e debitorëve, ndërprerjen e kontratave që nuk paguajnë në kohë sipas afateve por edhe të ligjshmërisë së furnizimit për jo vetëm kategoritë e bizneseve por edhe familjarëve. Duke parë në këtë këndvështrim, 2023 pati një rritje mbi 10 përqind të normës së arkëtimit totale krahasuar me vitet e mëparshme dhe kjo dha një mundësi edhe shoqërive për të adresuar disa problematika në lidhje me detuyrimet e prapambetura, ku shumë shoqëri kishin detyrim të sigurimeve shoqërore të papaguara, ose paga të papaguara. U siguruam që gjatë 2023 kjo çështje të mbyllet.

Gjatë 2023, janë 12 shoqëri që kanë arritur të paguajnë 100 përqind faturën e energjisë elektrike, performancë pozitive ndërsa ata shoqëri, për shkak të specifikës të furnizimit me energji elektrike me një ose dy ngritje mekanike, kanë reduktuar ndjeshëm detyrimin. Gjithsesi ne jemi duke ndjekur një plan rigoroz që brenda 2025, edhe kjo problematikë në lidhje me konsumin e energjisë dhe detyrimin që kanë shoqëritë të shkojë drejt zeros. Me Bankën Botërore jemi duke nisur një proces të auditimit të energjisë për shoqëritë që furnizohen kryesisht, që përdorin konsumin e energjisë për furnizimin me ujë dhe të trajtimit të ujërave të ndotura, që do të na japë një pasqyrë të qartë të masave dhe investimeve që duhet të marrim në reduktimin të konsumit të energjisë nëpërmjet prodhimit me burime të tjera alternative por edhe ndryshimin e teknologjive të caktuara që mund të jenë të amortizuara që rrisin konsumin e energjisë.”, u shpreh ai./abcnews.al