Këtë vit, Norvegjia do të dhurojë 275 milionë korona (pak më shumë se 24 milionë euro) për UNRWA. Kështu njoftoi Ministria e Jashtme në Oslo, duke saktësuar se “për shkak të katastrofës humanitare në Gaza, mund të ketë fonde shtesë”.
Agjencia e OKB-së për Palestinezët kohët e fundit përfundoi në qendër të një skandali pasi Izraeli akuzoi disa punonjës të saj për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmin e Hamasit më 7 tetor.
Disa vende reaguan duke njoftuar një pezullim të donacioneve, por Oslo u kërkoi atyre të konsiderojnë pasojat më të gjera të veprimeve të tyre mbi popullin e Gazës, duke qenë se UNRwA është organizata kryesore që ofron ndihmë për palestinezët.
Agjencia e OKB-së paralajmëroi javën e kaluar se mund të detyrohet të ndërpresë të gjitha aktivitetet në Lindjen e Mesme deri në fund të muajit për shkak të mungesës së fondeve.