Qeveria ka lehtësuar kushtet për investitorët që duan të ndërtojnë hotele apo struktura të tjera akomodimi. Në një vendim të fundit theksohet se për të marrë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” subjektet duhet të kenë një vlerë investimit jo më pak se 8 milionë euro për hotel me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Në vendim përcaktohet se hoteli duhet të ndërtohet nga një kompani e regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje. Por edhe në këtë drejtim ka disa lehtësi pasi janë hequr kriteret që duhet të plotësoheshin deri më tani në lidhje me investime të ngjashme të kryera apo në lidhje me kapacitetet financiare që duhet të ketë investitori.
Po ashtu për të nxitur këtë sektor është vendosur që të ulet vlera e garancisë që duhet të paguajnë investitorët. Deri më tani garancia që kërkohej nga subjektet ishte në nivelin 10 për qind të vlerës së investimit ndërsa tashmë është ulur në 3%.
Edhe mënyra e aplikimit tashmë është e përcaktuar me afate konkrete. Aplikimi bëhet përmes e-Albania, dhe shqyrtohet nga një komision i përbërë nga 7 anëtarë që do të ngrihet pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ndërkaq.
Ndërkohë që nga moment që subjekti ka marrë statusin e investitorit brenda 30 ditëve nënshkruhet marrëveshja duke përfshirë detajet e projektit dhe vlerën e investimit.
Shqipëria pret një tjetër boom turistik gjatë këtij viti ndërsa numri i turistëve pritet të arrijë në 13 milionë ndërsa janari ka regjistruar rreth 500 mijë shtetas të huaj që kanë vizituar vendin .Kjo kërkon që të shtohen më shumë strukturat akomoduese në vend./ abcnews.al