Julian Ahmataj ka thënë fjalët e para si trajneri i Tiranës. 40-vjeçari ndihet i kënaqur për këtë mundësi dhe nuk i vendos vetes limite. Objektivi i madh është fitimi i titullit kampion, teksa debutimi do të vijë në Gjirokastër kundër ekipi që drejtoi sezonin e kaluar.
Trajneri i ri e nis me falenderime dhe ndalet te presioni i madh që ekziston në një ekip si Tirana, por ai nuk ndjen frikë. Fjalët e mira për paraardhësin nuk mungojnë, teksa do të bëjë maksimumin për t’i dhuruar titullin kampion klubit, presidentit dhe tifozëve, aq më tepër që ky është sezoni i 100-vjetorit të bardhebluve.
TIRANA – “Dua të falënderoj njerëzit që me besuan dhe presidentin. Ky shans të vjen vetëm njëherë në jetë. Do e shfrytëzoj dhe jam gati të jap më të mirën time. Do bëj më të mirën që Tirana të dalë kampion. Sa do ia arrijmë, nuk di si ta garantoj, por titulli fitohet në maj. Duhet të bëjmë mirë çdo ditë që të arrijmë rezultate pozitive. Kam miqësi me Memën, e falënderoj për grupin që ka drejtuar. Më vjen keq që u largua nga Tirana, është njeri i përsosur, por kjo është puna jonë. Respekt për Memën, por duhet të shohim përpara”.
SKUADRA – “Është ndryshe ta shohësh nga jashtë dhe ndryshe nga brenda. Nuk kemi ardhur të gjejmë fajtorët apo ata që kanë gabuar, por të ecim përpara. Duhet të përmirësohemi. Nëse do arrijmë që të shpallemi kampionë, sportistët do shpallen, do jetë merita e tyre”.
DEBUTIMI – “Nuk do doja ta filloja në Gjirokastër. Kam respekt për ta. Luftëtari një ekip të mirë, besoj se do na hapë punë”.
VËSHTIRËSITË – “Në futboll ka një gjë. Ose di ta bësh punën, ose nuk di ta bësh. Nga renditja, po ta shohësh, në Gjirokastër, për pikët që kam marrë, mund të isha në vend të parë. Nuk është kjo matësi i një skuadre. Në një ekip të madh problemet janë më të mëdha. Ke më shumë alternativa, më shumë lojtarë, je i detyruar të bësh zgjedhje”.
KËRKESAT – “Lojtarët duhet të japin maksimumin, e them publikisht diçka të tillë. I kam hequr nga përgjegjësia e rezultateve. Lojtarët kanë përgjegjësi për atë që bëjnë në fushë dhe jashtë. Ata nuk kanë përgjegjësi për rezultatet”.
TIFOZËT – “Unë nuk kam bërë asnjë mrekulli më parë. Unë kam vënë njerëzit në pozita pune, nuk kam bërë asnjë mrekulli. Kjo është ajo që di të bëj më mirë. Nuk luaj unë në fushë, luajnë futbollistët. Sa të aftë do jemi që t’i vëmë në punë këta lojtarë, kjo do shihet në vazhdim”.
LOJTARËT – “Trajnerët janë të informuar për çdo lojtar. Teknologjia ka bërë që t’i shohim sa më mirë këto gjëra. Në momente që ka një grup të fortë, me karaktere të ndryshme, duhet më shumë që ekipi të ecë para. Se çfarë do vijë më pas, do shihet rrugës. Në futboll duhet të fitosh. Nuk kam marrë ndonjë skuadër që të humbas, ose të barazoj. Duhet të fitosh çdo ndeshje në futboll”.
PRESIDENTI – “Do bëj maksimumin që bashkë me lojtarët t’i japim titullin presidentit për 100-vjetorin e klubit”. /abcnews.al