Dy viktima dhe tetë të plagosur është bilanci i shënuar si pasojë e aksidenteve të regjistruara në vendin tonë këtë të diel (4 shkurt 2024).
Fillimisht një aksident pasojë vdekjen u shënua pranë fshatit Belorta, në Korçë. Dy automjete u përplasen “kokë më kokë” dhe për pasojë ndërroi jetë 36-vjeçari Elvis Mizaku dhe pesë të tjerë u plagosën.
36-vjeçari u bllokua për disa minuta në makinë, por me ndërhyrjen e ekipeve zjarrfikës u bë e mundur nxjerrja e tij dhe më pas u transportua në spital.
Por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Në një diferencë të shkurtër kohore do të shënohej edhe aksidenti tjetër, me pasojë vdekjen.
Një 18-vjeçar mbeti i vdekur pasi automjeti doli nga rruga në aksin Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur Ura e Dragostunjës.
Në automjet udhëtonin katër të rinj, tre prej të cilëve mbetën të plagosur, mes tyre edhe drejtuesi i mjetit 21-vjeçari Meglind Zeneli.
Të plagosurit, Meglind Zeneli, Gerald Verçani, Janikos Shyti u transportuan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.