Banorët e Orikumit ne Vlore janë përplasur me inspektorët e IKMT të cilët po vazhdonin aksionin për prishjen e objekteve në bregdet. Protestuesit kërkojnë të njihen me projektet dhe të dëgjohen nga vendorët për kërkesat e tyre.
Nisi si protestë paqësore, por përfundoi në përplasje dhe me ultimatum. Banorët e Orikumit larguan me forcë inspektoret e IKMT dhe mjetet e tyre.
Në këtë tubim ishin mbledhur nga Radhima, Tragjasi, të gjithë në qendër të Orikumit. Ata lanë 30 ditë afat për vendorët të cilët duhet të organizojnë një degjesë publike. Nëse kjo nuk ndodh, do të përshkallëzojnë veprimet e tyre.
Përplasja ndodhi në fund të protestës. Kur ata u drejtuan nga bregdeti aty ku IKMT po vazhdonte aksionin. E gjitha ndodhi për 20 minuta. Me ndërhyrjen e policisë situata u qetësua. Banorët thanë se po u grabitën pronat. Ndaj duan të njihen me projektin dhe çdo gjë po zhvillohet në këtë zone.
Aksioni i IKMT në bregdetin e Vlorës ka nisur prej fillimit të muajit Shtator. Të listuar për t’u shembur janë 60 ndërtime në fazën e parë, bare, mole, apo shtesa . Gjatë tubimit të kësaj të premte, në bashki po bëhej një takim për projektin e shëtitores në Radhimë./ABC News Albania