Ulërima e tij vazhdon të kumbojë në veshët e italianëve, ndërsa kjo pamje ka qëndruar e pashkulur në kujtesën e shqiptarëve, që në një kohë bllokimi total, futbolli i lejonte të shihnin përtej kufijve, duke u bërë tifozë me skuadrat e mëdha Evropiane, më së shumti me Italinë.
Në një intervistë për ABC News, ish futbollisti i famshëm i Juventus dhe Inter shprehet se Kombëtarja “Kuqezi” është rritur shumë. Në të njëjtën linjë edhe mendimi i presidentit të Federatës Italiane, Gabriele Gravina.
Më shumë se 40 vjet nga finalja e Botërorit 1982, një prej heronjve të triumfit të skuadrës së kaltër, Marco Tardelli ishte në Tiranë, për ekspozitën në nder të mikut të tij Paolo Rossi. Një vizitë, që vjen pak muaj nga sfida mes Italisë dhe Shqipërisë, premierë për të dyja skuadrat në finalet e Euro 2024.
“Është gjithmonë e vështirë të bësh krahasime, kur bëhet fjalë për dy periudha të ndryshme. Kanë kaluar 40 vjet. Në ishim më të mirët në atë kohë. Këta do të jenë më të mirët tani”.
Ashtu si Italia, edhe kombëtarja e Shqipërisë ka ndryshuar dhe tani tifozët kuqezi kanë se për çfarë të jenë krenarë. Këtë e ka kuptuar edhe Tardelli.
“Shqipëria është rritur shumë. Kompimente lojtarëve dhe trajnerit. E di që në të shkuarën ka patur shumë trajnerë italianë dhe mendoj se ata e kanë ndihmuar edhe teknikun aktual. Po ashtu, ka lojtarë të rinj shumë të mirë si Asllani dhe tani bën një futboll ndryshe”.
Për këtë, ish-futbollisti i Juventus dhe Inter e ka të vështirë të bëj marashikime…
“E vështirë, e vështirë për të dyja. Nuk mund të thuash se cila është favorite. Në turne të tillë është e vështirë ta thuash”.
Triumfi i Italisë në vitin 1982 nuk ishte aq i pritshëm përballë atij që konsiderohet si Brazili më i mirë i të gjitha kohërave, apo një skuadër shumë të fortë si Gjermania. Por “të kaltërit” kaluan si “Selecaon” ashtu edhe gjermanët në finale duke treguar se në futboll gjithçka mund të ndodhë. Shqipëria mund të jetë një “Hirushe” e Euro 2024, por Presidenti i Federatës Italinë, Gabriele Gravina nuk beson te “përrallat”
“E kam parë Shqipërinë . Në vitet e fundit është rritur shumë, por është rritur shumë niveli i futbollit botëror. Kjo do të thotë që nuk ka më “hirushe” në botën e futbollit. Kjo i bën kompeticionet shumë më të ekuilibruara dhe ne e dimë që Shiqpëria ka një skuadër të madhe dhe besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë”.
Shqipëria dhe Italia do të përballen mes tyre në ndeshjen e parë të Grupit B në Euro 2024 më 15 qershor në stadiumin e Dortmundit. /abcnews.al