Shefi i mbrojtjes italiane: Roma, Parisi dhe Athina do udhëheqin misionin detar të BE-së në Detin e Kuq

schedule22:14 - 31 Janar, 2024

schedule 22:14 - 31 Janar, 2024

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka bërë të ditur se vendi i tij, së bashku me Francën dhe Greqinë, kanë ofruar të udhëheqin misionin detar të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), që synon të mbrojë anijet nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit në Detin e Kuq.

“Italia, Greqia dhe Franca kanë dhënë disponueshmërinë e tyre për të udhëhequr misionin. Spanja ofroi të jetë nikoqire me selinë e saj. Nuk është një garë. Gjëja e rëndësishme është se do të jetë një mision i përbashkët dhe do të përfshijë numrin më të madh të vendeve evropiane”, tha Crosetto pas takimit me homologët e tij të bllokut evropian.

Më herët gjatë ditës, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, njoftoi në rrjetet sociale se oferta e Greqisë u pranua, në kundërshtim të dukshëm me fjalët e Crosetto-s.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, që nga nëntori kanë shënjestruar anijet tregtare në Detin e Kuq, veçanërisht ato të destinuara për në Izrael. Ata thonë se sulmet e tyre synojnë të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të ndalur sulmin vdekjeprurës në Rripin e Gazës, duke shkaktuar që edhe SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të nisin sulme ajrore kundër objektivave brenda Jemenit.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Crosetto tha se Italia ka ofruar gjithashtu të kontribuojë me një anije për të gjithë kohëzgjatjen e misionit.

“Ne duhet të adoptojmë mjete që na lejojnë të përballemi me kriza vdekjeprurëse në një mënyrë të shpejt, siç janë luftërat. Nëse nuk e kombinojmë demokracinë me shpejtësinë dhe pragmatizmin, rrezikojmë që aktorët jo-demokratik të na mundin në planin afatmesëm dhe afatgjatë”, tha Crosetto.

Ai shtoi se ishte i kënaqur kur pa që këtë herë BE-ja veproi shpejt për këtë çështje.

Shefi i mbrojtjes italiane po ashtu tha se sulmet e rebelëve Houthi përfaqësojnë një “akt lufte, jo vetëm fizik, por edhe hibrid, me strategjinë e tyre për të ndërprerë komunikimin midis vendeve të caktuara, duke prekur ekonomitë e tyre duke ndihmuar të tjerët, si Rusinë dhe Kinën, anijet e të cilave nuk sulmohen”.