Guterres: Çdo punonjës i OKB-së i përfshirë në akte terroriste do të mbajë përgjegjësi

schedule09:17 - 28 Janar, 2024

schedule 09:17 - 28 Janar, 2024

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres u zotua sot se çdo punonjës i Kombeve të Bashkuara të përfshirë në akte terrorizmi do të mbajë përgjegjësi pas akuzave se anëtarët e stafit të agjencisë të refugjatëve ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Por Guterres u bëri thirrje qeverive që të vazhdojnë të mbështesin agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA) pasi nëntë vende vendosën të ngrijnë fondet e tyre.

“Çdo punonjës i Kombeve të Bashkuara i përfshirë në akte terrorizmi do të mbajë përgjegjësi, duke përfshirë ndjekjen penale”, tha shefi i OKB-së në një deklaratë. “Ne jemi të të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetin kompetent që do të mund të ndjekë penalisht personat në përputhje me procedurat e zakonshme për një bashkëpunim të tillë”, tha ai.

Nga 12 të përfshirë, tha ai, bashkëpunimi me nëntë është ndërprerë, njëri ka humbur jetën, ndërsa identiteti i dy të tjerëve pritet të verifikohet.

Britania, Gjermania, Italia, Holanda, Zvicra dhe Finlanda ndoqën dje shembullin e SHBA-së, Australisë dhe Kanadasë në ndalimin e fondeve për agjencinë e ndihmës, një burim i rëndësishëm mbështetjeje për banorët e Gazës, pas ankesave nga Izraeli.

“Ndërsa i kuptoj shqetësimet e tyre dhe jam i tmerruar nga këto akuza u bëj thirrje me forcë qeverive që kanë pezulluar kontributet e tyre që të paktën të sigurojnë vazhdimin e aktiviteteve të UNRËA-s”, tha Guterres.

/abcnews.al