Ajla është ndjekësja më e rregullt e shfaqjeve në teatër. Ajo është sot 11 vjeç, dhe ka ndjekur mbi 200 shfaqje.
“Kur isha më e vogel i ndiqja çdo të shtunë e të diele, tani çdo të shtunë. Më tërheq mënyra e aktrimit, si e bëjnë ngjarjen shumë reale, skena…”
Për herë të parë në teatër Ajla ka shkuar kur ishte 3-vjeçe me gjyshin e saj dhe prej 8 vitesh ata të dy nuk mungojnë në asnjë prej shfaqjeve të fundjavave.
Edhe këtë shtunë nuk munguan për të ndjekur “Gjyshja perfekte”, fabulën e së cilës Ajla e ka mësuar mjaft mirë.
“Është një djale që nuk e pëlqen shumë gjyshen se është shumë tradicionale dhe kështu vendos ti japë një lloj ilaçi, pasi e zhduk padashje i mungon shumë gjyshja dhe pastaj bashkohen përsëri”.
Pyetjes se çfarë do të bëhet kur të rritet, 11 vjecarja i përgjigjet pa shumë mëdyshje dhe duket se për këtë ka ndikuar teatri.
“Arkitekte, kam shumë pasion matematiken dhe artin dhe mendoj se keto të dyja do të më ndihmojnë”.
Gjysh i i Ajlës, Elezi tregon se pasionin e tij të hershëm për artin kishte dëshirë ta transmetonte tek mbesa e tij.
“Në vitet 70 kam nisur të shoh vetë teatër, ndiqja Kadri Roshin dhe aktorët e tjerë të mëdhenj. Nuk e konceptoja dot që pas 50 vitesh mbesa ime mos të shkontë në teatër”.
Sipas tij, sallat e teatrit kanë ndikuar poztivisht gjatë këtyre viteve tek Ajla.
“Duke ardhur nëpër shfaqje është larguar nga telefoni, ambjenti mbytës, merr zhvillim, artikulohet më shumë. Kjo më pëlqen”.
Gjysh Elezi nuk e fsheh dot emocionin kur thotë se mbesës do t’i lërë një kujtim shumë të bukur.
“Unë jam 70-vjeç tani, dihet qe do iki nga kjo botë, por jam i lumtur qe do le kujtime, të gjitha i ka në fotografi. Do shohë fotografitë dhe do kujtohet, kam qenë këtu me gjyshin”./abcnews.al