Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Porkuroria e Posaçme (SPAK) është vënë në shënjestër nga qeveria.
Në një konferencë për gazetarët, Basha u shpreh se Partia Demokratike mbështet pa kushte punën e SPAK-ut.
Ndër të tjera, Basha shtoi se reforma në drejtësi i vetmi shans që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.
“Javën e kaluar ngrita shqetësimin se e vetmja gjë që po fillon të funksionojë sa i takon shtetit të së drejtës, është SPAK-u. Tani po targetohet, po shënjestrohet nga qeveria. E vetmja gjë që duket se është shkëputur nga rutina e dështimeve të njëpasnjëshme, që është SPAK-u, po vihet në shënjestër nga qeveria. Javën e kaluar ndava me ju një informacion, dhe po kështu kërkova të përgënjeshtrohet nëse është i pasaktë.
Përgjigja ka shtuar dyshimet. Qeveria ka refuzuar të hedhë poshtë këtë informacion, jo do bëjmë komision, por nuk kemi një refuzim të prerë. Përbën një shqetësim të madh për publikun shqiptar dhe për fatin e shtetit të së drejtës, e vetmja rreze shprese është hetimi kundër korrupsionit.
Nëse qeveria, apo qeveritarë të caktuar, duke filluar nga kryeministri, nga ankthi i vënies para përgjegjësisë ligjore, kanë ndërmend t’i përgjigjen me presion, atëherë, duhet të llogarisin në kundështimin më të fortë dhe më të hapur të Partisë Demokratike dhe të gjithë aleatëve tanë. SPAK-u dhe reforma në drejtësi nuk janë perfekte, por janë i vetmi shans që ky vend ka njohur në 33 vite, që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Mbështetje pa kushte ndaj SPAK. Kush ka panik nga hetimet e SPAK-ut, ja shtoftë Zoti panikun”, theksoi ai./abcnews.al