Meta kërkon heqjen e vizave me Japoninë

schedule07:21 - 24 Tetor, 2019

schedule 07:21 - 24 Tetor, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Tokio u prit sot në një takim të veçantë dhe të përzemërt nga Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe shprehu dëshirën që bashkëpunimi i deritanishëm të thellohet më tej në të gjitha fushat, në veçanti në realizimin e investimeve të reja japoneze në Shqipëri.

“Japonia është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, u shpreh Presidenti.

Presidenti Meta duke vlerësuar rritjen e interesit të turistëve japonezë për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e heqjes së vizave nga Japonia për të gjithë qytetarët shqiptarë, sa më shpejt, që të rriten më tej shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve.

Kryeministri Abe premtoi se do ta konsiderojë këtë kërkesë të Presidentit Meta./abcnews.al