Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur i zhgënjyer nga Kina, pasi sipas tij ka lejuar furnizmin e Koresë së Veriut me karburant. Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se nëse kjo shkelje sanksionesh do të vazhdojë, atëherë nuk do të arrihet kurrë një zgjidhje paqësore.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar Kinën në Tuiter, duke e akuzuar se vazhdon të mbështesë regjimin e Penianit. “Të kapur në flagrancë. Jam shumë i zhgënjyer – shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë – që Kina po lejon që nafta të arrijë në Korenë e Veriut. Nuk do të ketë kurrë një zgjidhje miqësore nëse kjo vazhdon të ndodhë”. Fjalët e ashpëra të presidentit vijnë pas shpërndarjes të disa imazheve të kapura nga sateliti që provojnë furnizmin e Koresë së Veriut.
Peniani vazhdon të jetë i vëzhguar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Uashingtonit. Lajmë të ndryshme janë shpërndarë këto ditë. Më kryesori i përket trafikimit të karburantit. Gazeta koreanojugore “Chosun Ilbo” publikoi imazhet që tregonin se si Kina, pavarësisht sanksioneve, vazhdon të furnizojë me naftë të papërpunuar regjimin komunist të liderit Kim Jong-un. Që nga tetori kjo ka ndodhur të paktën 30 herë, me depozitat kineze të naftës që janë bashkuar me një njësi të Koresë së Veriut në Detin e Verdhë. Kjo është një taktikë e njohur që është përdorur shpesh edhe në rajone të tjera.
Ndërkohë, sipas Uashington Post, Koreja e Veriut ka zhvilluar me sukses gjeneratën e fundit të raketave duke përdorur teknologjinë dhe projektet ruse. Në qershor, Peniani testoi transportuesin “Huasong 10” që është një kopje e “R-27-ës” e bërë disa vite më parë nga kompania ruse “Makejev”, një pajisje kjo që mund të përdoret nga nëndetëset. Aksi me Moskën nuk është një surprizë, në të kaluarën janë zbuluar detaje të rëndësishme në lidhje me bashkëpunimin mes shkencëtarëve dhe kompanive në të dy vendet. Pa këtë ndihmë të jashtme – e cila gjithashtu përfshinte edhe kinezët – Koreja komuniste kurrë nuk do të kishte krijuar arsenalin e saj.
Ndërkohë, këto zhvillime të fundit kanë shtuar frikën se Peniani po përgatit zhvillimin e një testi të ri raketor. Gjatë javës janë regjistruar lëvizje ushtarake në Korenë e Veriut, që sipas inteligjencës amerikane, mund të korrespondojnë me lëshimin e disa satelitëve. Sipas analistëve, këto satelitë mund të ndihmojnë regjimin e Kim Jong-un për lëshimin e raketave ndërkontinentale./abcnews.al