Kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister është shprehur i zhgënjyer me mos hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në një intervistë për “Euractiv’’, anëtari i kristiandemokratëve gjermanë në PE beson se përçarja mes vendeve të BE-së ka cënuar besueshmërinë e këtij organizmi. Ndërkohë, vendimin e KE-së në 17 tetor e quan “gabim historik”.
“Unë jam shumë kritik ndaj efektit përfundimtar të bisedimeve në Samitin e Këshillit Europian dhe mendoj se ky është një gabim historik. Ky nuk është vetëm një sinjal elokuent për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por edhe për minimin e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Sa kushtojnë premtimet tona nëse veprojmë në këtë mënyrë?!”, thekson McAllister./ABC News Albania