Rusia do të debatojë për një projektligj, javën tjetër, që parasheh konfiskimin e parave, pronave dhe aseteve me vlerë të secilit që dënohet për përhapje të “gënjeshtrave” për ushtrinë e shtetit, ka thënë udhëheqësi i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Vyacheslav Volodin.
Moska i ka bërë të paligjshme kritikat ndaj ushtrisë, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, dhe i ka ndaluar mijëra kundërshtarë të konfliktit prej atëherë.
Projektligji, i cili sipas mediave shtetërore gëzon mbështetjen e të gjitha fraksioneve parlamentare, do të prezantohet në Parlament të hënën.
“Secili që tenton të shkatërrojë Rusinë dhe ta tradhtojë atë, duhet të marrë ndëshkimin e merituar, dhe t’ia kompensojë pronën shtetit”, ka shkruar ai në Telegram.
Sopas Volodinit, masa synon të ndëshkojë ata që “hedhin baltë në shtetin tonë, ushtarët tanë dhe oficerët që po shërbejnë në operacionin special ushtarak”.
Akuza për përhapje të “informacionit të rremë” për ushtrinë, është e ndëshkueshme me burgim me deri 15 vjet, dhe është përdorur prej autoriteteve për të shtypur disidentët.
Sipas ligjit, informacioni për ofensivën në Ukrainë, që nuk e ka burim Qeverinë ruse, mund të konsiderohet “i rremë”. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel