Klaudio Zoto është vetëm 20 vjeç dhe është një nga violinçelistët më të spikatur shqiptar. Së fundmi, ai ka çelur sezonin e Teatrit të Operas dhe Baletit.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, Zoto ka bërë një rrëfim për karrierën e tij, i cili ndonëse është në hapat e para, ka pasur shumë sukses.
“Nuk do thoja gjithçka, por violinçeli është ai ç’ka më plotëson. Unë e kam nisur në moshën 6-vjeçare, nuk ishte një vendim nga mamaja ose prindërit, të cilët më thanë që do të bëhesh violinçelist, nisi gjithçka si një hobi, mami nuk donte që unë të bëhesha muzikant, ose të kisha një të ardhme me instrumentin, por mua thjesht më pëlqeu. E fillova që në klasë të parë, e fillova që në atë moshë dhe e kisha shumë qejf. Nuk e kam braktisur asnjëherë”, u shpreh artisti.
Më tej, Zoto ka dhënë dhe një këshillë dhe për të gjithë moshatarët e tij, që të ndjekin ëndrrën e tyre dhe mos të heqin kurrë dorë.
“Një mesazh shumë i rëndësishëm, është që të mos ndaloni së besuari te vetja dhe te ajo që doni të arrini, sepse kur është dëshira, ka gjithmonë një rrugë. Absolutisht, modestia është virtyt, duhet ta ketë çdo artist”./abcnews.al