Reforma Zgjedhore, përfaqësuesja e OSBE pas takimit me Gjiknurin dhe Alibeajn: Mirëpres rifillimin e punës të premten!

schedule17:15 - 16 Janar, 2024

schedule 17:15 - 16 Janar, 2024

Kryetarja në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory ka ndarë qëndrimin e saj pas takimit të zhvilluar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.

Ajo theksoi se mirëpret rifillimin e punës të premten dhe përshpejtimin e saj në javët e ardhshme me ndihmë e ekspertizë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSBE/ODIHR.

Më poshtë, postimi në rrjetet sociale i Kryetares në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory.

“U takova sot me bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës përmbajtësore të premten dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSBE/ODIHR. Do të vazhdojmë takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme, gjatë ditëve në vijim.” Me këtë rast, ju ftojmë të ndiqni profilin e znj. Pasztory në X, krahas atij të Prezencës së OSBE-së.

Gjithashtu një reagim ka ardhur edhe nga vetë Alibeaj i cili thotë se në takimin e zhvilluar e siguroi ambasadoren dhe delegacionin  e OSBE se për PD Reforma Zgjedhore mbetet prioritet.

Reagimi i Enkelejd Alibeaj

Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory sëbashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.

Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.

Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!