Sulmi më 24 shtator/ Hasani: Po e ndjekim me vëmendje situatën, Kushtetuta e Kosovës ka qene baza e propozimit në Bruksel

schedule10:40 - 16 Janar, 2024

schedule 10:40 - 16 Janar, 2024

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në konferencën që po mban me homologen kosovare, Donika Gërvalla, është pyetur lidhur me sulmin në veri më 24 shtator, duke deklaruar se po e ndjekin me vëmendje situatën dhe presin që faktet e paraqitura të bëhen publike.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtare, si në kuadër të anëtarësimit tonë në NATO, ashtu edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në po e ndjekim me shumë vëmendje situatën dhe na janë paraqitur fakte, të cilat presim që të bëhen publike. Kjo do të thotë që Shqipëria, jo vetëm që ka në vëmendje atë që ka ndodhur në 24 shtator në Kosovë, por dhe vazhdon të kërkojë nxjerrjen para përgjegjësisë të të gjithë personave, qofshin ata të përfshirë drejtpërdrejt, qofshin  orkestruesit e krimit. Për këta, ne do i lëmë kohën e nevojshme të gjithë partnerëve tanë, që t’i shprehin këto fakte publikisht dhe të mbajnë qëndrimet që duhen mbajtur.

Sa i përket draft-statutit të asosacionit i propozuar nga Kryeministri Rama, Hasani u shpreh: “Kemi avancuar për këtë, sepse ka një pranim nga  z. Kurti, të një formule, e cila në 26 tetor në Bruksel, i është vendosur në tavolinë. Shqipëria gjithmonë do të ofrojë zgjedhjet më të mira për Kosovën dhe të ardhmen e saj, do të ofrojë zgjedhjet më të mira për një shoqëri demokratike të bazuar në zbatimin e ligjit dhe respektimin e minoriteteve. Kushtetuta juaj ka qenë baza e atij propozimi të Tiranës dhe shpresoj që çdo element i saj të jetë në funksion të Kosovës.”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!