Dinamo aktiv në merkato, “Nëndetësja Blu” njofton afrimin e 1 lojtari dhe largimin e 2 të tjerëve

schedule19:56 - 15 Janar, 2024

schedule 19:56 - 15 Janar, 2024

“Nëndetsja Blu” e Dinamo City po vazhdon me goxha ritme intensive, punën në merkato si në afrime ashtu edhe në largime, teksa së fundmi “Bluve” të kryeqytetit i është bashkuar sulmuesi Ardit Tahiri nga Drita e Kosovës.

Njoftimi për tifozët është bërë me anë të një postimi, të publikuar, në profilet zyrtare të klubit, në rrjetet sociale, me “Blutë” e Dinamos, që kanë njoftuar se se 21-vjeçari është pjesë edhe e përfaqësueses U21 të Kosovës.

“Ardit Tahiri është zyrtarisht “dinamovit”! 21-vjeçari i lindur në Vushtri, i cili vjen pas eksperiencës në superligën kosovare me ekipin e Dritës, ka firmosur ditën e sotme kontratën që bën zyrtarisht pjesë të skuadrës tonë në vijim. Tahiri i cili luan si sulmues qendre, është pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21 dhe ditën e sotme iu bashkua menjëherë skuadrës në seancën stërvitore”,- shkruhet në postimin e Dinamos.

Ndërkohë sa u përket largimeve, gjatë kësaj të hëne fillimisht ka ndarë rrugët me klubin, anësori 22-vjeçar i mbrojtjes, Silvio Vokrri, të cilin bordi i “Nëndetëses Blu” e falenderon për kontributin e dhënë gjatë kohës që ishte lojtari i tyre.

“FC Dinamo City njofton mbylljen e bashkëpunimit me Silvio Vokrrin. Klubi e falenderon Vokrrin për kontributin e dhënë në skuadër dhe i uron suksese në vazhdimësi”,- thuhet në njoftimin e plotë të klubit.

Ndërkaq, i larguar tjetër është edhe “shkatërruesi” i mesfushës, Blendi Krasniqi, i cili është dhënë për huazim te skuadra e Gjilanit, me mesfushorin që do të luajë në kampionatin Kosovar deri në përfundim të këtij sezoni.

FC Dinamo City njofton se ka arritur marrëveshjen me skuadrën e Gjilanit, për huazimin e mesfushorit Blendi Krasniqi deri në përfundim të sezonit. Duke parë se në këtë pjesë të kampionatit, hapësirat për Krasniqin ishin të pakta, klubi ynë vlerësoi se rruga e duhur për rritjen e mëtejshme të lojtarit, ishte transferimi në skuadrën e Gjilanit, ku edhe mundësia për të luajtur do të jetë më e madhe”,- thuhet në njofimin e “Dinamovitëve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!