Marrëveshja e liderëve të partive politike në Maqedoni për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare duket se do të vonojë regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, e cila ishte planifikuar për prillin e vitit të ardhshëm.
Udhëheqësit e partive politike në Maqedoninë e veriut, të cilët arritën mbrëmë marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme më 12 prill, pohuan se është shumë e vështirë që të bëhet regjistrimi i popullsisë në prill siç kishte qenë e parashikuar dhe se do të ishte më realiste që të bëhej pas zgjedhjeve ose në vitin 2021.
Kryeministri Zoran Zaev tha se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet në vitin 2020 pas zgjedhjeve, dhe nëse Zyra e Statistikave Shtetërore është e gatshme, mund të bëhet para zgjedhjeve.
Ndërsa kreu i opozitës Hristijan Mickoski, presidenti i VMRO-DPMNE, tha se regjistrimi është një operacion statistikor, jo një marrëveshje politike dhe duhet të bëhet në fillim të dekadës së ardhshme, pra në 2021, siç bëjnë të gjitha vendet evropiane.
Udhëheqësit e partive politike shqiptare thonë se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet pasi të mbarojnë zgjedhjet e 12 prillit, të cilat u kërkuan nga kryeministri Zaev pasi Franca vuri veton dhe BE-ja nuk arriti konsensus për të caktuar datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut./abcnews.al