Rrjetet sociale po kthehen në burim konflikti e po çojnë deri në vrasje e vetëvrasje. Ngjarje të lidhura me krime kibernetike denoncuar në Policinë e Tiranës gjashtë muajt e fundit të vitit që lamë pas janë trefish më shumë se gjatë gjithë vitit 2022.
“Praktikisht referohen si vepra penale të përndjekjes që dënohet nga 6 muaj deri 4 vjet kemi të bëjmë dhe me veprën penale të falsifikimeve kompjuterike dënohen 6 muaj deri në 6 vjet”, tha shefi i sektorit të Hetimit të Krimit Kibernetik në Tiranë, Klodian Bilushi.
Reagimi i policisë shpjegon shefi i hetimit të krimit kibernetik në Tiranë është i menjëhershëm nëse denoncimi përmban autorë të dyshuar. Situata ndryshon kur uniformat blu duhet të gjejnë se kush qëndron pas një profili fals.
“Kur veprat penale janë me autorë të dyshuar reagimi është shumë i shpejtë është imediat. Në rastet e tjera kur dikush të bullizon në rrjetet sociale apo të bullizon me të dhënat e tua zgjat si procedurë se ne duhet të komunikojmë më platformat sociale përmes prokurorisë së rrethit gjyqësor dhe ministrisë së Drejtësisë përmes letër-porosive se kush e ka hapur këtë profil. Ne kemi një rrugë komunikimi, një kanal komunikimi ku ka persona kontakti që komunikojnë me rrjetet sociale, por këto janë vetëm për raste ekstreme mund të themi për terrorizëm dhe të miturit”, thekson ai.
Mos i fshini mesazhet apo çdo të dhënë tjetër, por vërjani në dispozicion policisë këshillon shefi i Hetimit të Krimit Kibernetik në Tiranë. Në një kohë kur bullizmi kërcënon këdo e përgjigja ndaj tij duhet të jetë e shpejtë
“Të gjithë jemi të rrezikuar nga bulizmi”.
Në kushtet shqiptare pasojat e tij mund të jenë më të forta. E kjo sipas psikologëve e ka një shkak. Kulturën tonë kolektiviste.
“Është kulturë kolektiviste, ne i japim shumë rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët për sjelljen tonë, mendimet tona, për çdo gjë, sidomos zonat më pak të zhvilluara, në periferi të qyteteve, në zona rurale në përgjithësi ku merr shumë rëndësi mendimi i të tjerëve, fisit, fqinjit shoqërisë ky fakt e bën bullizmin shumë të prekshme dhe me efekte shumë të forta”.
Por për ti përballuar psikologët apelojnë për tu përqendruar tek anët pozitive të vetes e për të rritur vetëvlerësimin.
“Duhet të rrisë vetëvlerësimin, kjo është shumë e rëndësishme sidomos për gratë e vajzat e reja të cilat pranojnë fyerjet, diskriminimet, qëndrimet negative ndaj tyre. Duke i refuzuar ato, duke i kundërshtuar, duke luftuar me bullizmin ne do jemi në gjendje ta përballojmë atë”, tha psikologu Edmond Dragoti.
/abcnews.al/