Videot e postuara nga vetë ai në rrjetet sociale, teksa dukshëm me dhimbje i nënshtrohej seancave të fizioterapisë bën xhiron e botës. Por kur bëhet fjalë për të festuar, Neymar harron gjithçka.
Vetëm një muaj larg operacionit, braziliani ka zgjedhur një terapi të veçantë për t’u rikuperuar: një festë në det të hapur me anije, që ka zgjatur tre ditë.
Dhe sigurisht një zgjedhje e tillë nuk është pritur mirë nga klubi i tij Al-Hilal dhe është shoqëruar me shumë polemika në mediat braziliane.
Këto të fundit kanë dhënë detaje nga ajo që e kanë cilësuar si një “festë e çmendur”, ku morën pjesë më shumë së 4300 persona.
Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat në vend, Neymar nuk ishte organizatori, por i ftuari special dhe të pranishmit duhet të paguanin secili rreth 875 euro për të festuar Krishtlindjet dhe dy ditë më pas me yllin e futbollit botëror.
Disa pamje nga kjo festë kanë nisur të qarkullojnë në rrjetet sociale, ku Neymar duket se ka harruar dëmtimin, që e detyroi të mbyllë përpara kohe sezonin dhe të humbasë finalet e Kupës së Amerikës me Brazilin, verën e ardhshme. /abcnews.al