Një zyrtar i Hamasit ka thënë se grupi militant palestinez është “i hapur ndaj çdo ideje apo propozimi për një ndërprerje të plotë dhe përfundimtare të agresionit kundër popullit në Rripin e Gazës”.
Osama Hamdan, në një konferencë për shtyp të enjten, tha se Hamasi nuk është i interesuar për një “ndërprerje të pjesshme ose të përkohshme të agresionit”, raportoi AP.
Ai përsëriti qëndrimin e Hamasit se pengjet e mbetura që janë mbajtur në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit do të lirohen vetëm pasi të zbatohet një armëpushim i përhershëm.
I pyetur për diskutimet aktuale për t’i dhënë fund luftës, duke përfshirë një propozim kornizë të paraqitur nga Egjipti, Hamdan tha se qeverisja e Gazës do të ishte një “vendim i vetëm i popullit palestinez” dhe se palestinezët në Gaza “nuk do të pranonin një udhëheqje që vjen në kurrizin e një tanku sionist ose amerikan ose nën mbrojtjen e këtij tanku”./abcnews.al