Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka deklaruar se ndaj Ilir Metës po kryhen veprime hetimore.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija tha në “Newsline” se ka disa dosje që lidhen me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, si CEZ-DIA, apo lobimi në SHBA në shumën prej 700 mijë dollarësh.
“Dumani na ka konfirmuar se SPAK është duke kryer veprime hetimore ndaj ish presidentit, kreut aktual të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pak ditë më parë, SPAK, por edhe hetuesit e BKH kanë zhvilluar kontrolle dhe kanë sekuestruar sende edhe dokumente, për të cilat ka qenë Monika Kryemadhi që ka kundershtuar këtë sekuestro në Gjykatën e Posaçme, tre javë më pare. Gjykata e Posaçme e ka rrezuar këtë pretendim të Kryemadhit, duke i lënë në sekuestro. Edhe vetë Dumani nuk preferoi të jepte koment, por pranoi që ndaj Metës po kryhen veprime hetimore.
Është dosja CEZ-DIA, ku Meta ka dhënë sqarime në SPAK për rolin që mund të ketë patur, ka dyshime se mund t’i ketë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit nga kontrata që u lidh në atë kohë. Një tjetër dosje, kallëzim është ai për çështjen e lobimit, shumë prej 700 mijë dollarësh, për LSI, ku kjo shumë, ka dyshime se nuk është dekatuar burimi i të ardhurave. Një tjetër kallëzim, është i një avokati ku pretendon se Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë kryer ndërhyrje estetike për te cilat nuk kanë deklaruar të ardhurat”, theksoi ai./abcnews.al